10.8 C
Skopje
Wednesday, November 5, 2025

KOSOVË: Presidentja Osmani bën thirrje për veprim urgjent pas vrasjeve në Gjilan

Ajo u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që autorët e këtij akti makabër të kapen sa më shpejt dhe të dalin para drejtësisë, për t’u përballur me përgjegjësinë e plotë ligjore.

Presidentja ka theksuar se është për keqardhje fakti që vitin e kaluar të njëjtit persona ishin lënë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër në paraburgim, pavarësisht veprave të rënda për të cilat akuzoheshin.

Ajo ka reaguar edhe ndaj manipulimeve për keqinformimin e opinionit publik, duke përdorur fotografi të autorit të krimit të bërë në ambiente publike me figura të ndryshme.

Presidentja ka sqaruar se këto fotografi janë realizuar gjatë një aktiviteti festiv të Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, personaliteteve politike dhe qytetarëve, dhe se brenda vitit ajo del në fotografi me mijëra persona, të cilët as nuk i njeh dhe nuk mund të dijë veprimtarinë e tyre.

“Është po ashtu shqetësues manipulimi me qëllim të keqinformimit të opinionit publik, duke përdorur fotografi të rastit të bëra në ambiente publike që autori i këtyre veprave i kishte bërë me një sërë figurash publike. Nga një hulumtim i thjeshtë del se këto fotografi janë bërë gjatë një organizimi festiv të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e një aktiviteti publik ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, personalitete nga politika, të ftuar të tjerë dhe qytetarë”.

Duke i quajtur aludimet për kinse “shoqërim” si shpifje, Presidentja ka përsëritur thirrjen për organet e rendit dhe drejtësisë që të veprojnë sipas ligjit, në mënyrë që autori i vrasjeve të marrë dënimin e merituar.

“Brenda vitit, Presidentja del në fotografi me mijëra qytetarë e pjesëmarrës në aktivitete publike, të cilët as nuk i njeh e as nuk mund ta dijë se cila është veprimtaria e tyre. Prandaj, aludimet për kinse “shoqërim” janë asgjë tjetër pos shpifje”, ka shkruar Presidentja.

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit