Kosova duhet të ketë qëndrime të forta ndaj Kërcënimeve hibride të Serbisë

Nga Gurakuç Kuçi
Reagimi i amplifikuar nga propaganda serbe se SHBA-ja po e shtyn Serbinë drejt një marrëveshjeje sekrete për ta njohur Kosovën, si dhe deklarata e Aleksandër Vuçiqit se “Serbia nuk do ta njohë Kosovën”, nuk janë episode spontane dhe as reagime emocionale. Janë pjesë e një konstruksioni të qëllimshëm strategjik.
Muajin e kaluar ishte Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i cili sugjeroi se Serbia duhet të rishqyrtojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian për shkak të presionit për njohjen e Kosovës. Tani në diskursin serb sulmohet SHBA-ja, duke u paraqitur si aktor që përmes “marrëveshjeve sekrete” synon t’ia imponojë Serbisë njohjen e Kosovës.
Kemi dy goditje diskursive me të njëjtin objektiv: të ndërtohet narrativa se Serbia është nën rrethim politik nga Perëndimi dhe po detyrohet të heqë dorë nga pozicioni i saj.
Në kohën kur kërkohet rifillimi i dialogut Kosovë–Serbi, kjo qasje shërben për ta minuar klimën e besimit dhe për ta pozicionuar Serbinë në linjë të sinkronizuar me interesat ruse.
Në këtë kuadër, ndiqet një psikostrategji me katër vektorë të qartë:
1. Krijohet ndjenja e kërcënimit ekzistencial duke shtyrë përpara narrativën se Serbia po detyrohet të heqë dorë nga “territori i saj”, e shoqëruar me amplifikim të propagandës për presion të jashtëm.
2. Normalizohet tensioni i vazhdueshëm me Perëndimin, duke e bërë konfliktin verbal rutinë. Kjo e paraqet militarizimin si detyrë nacionaliste dhe e forcon konsolidimin e brendshëm të pushtetit, sidomos në prag të zgjedhjeve.
3. Ulen pritjet për kompromis përmes delegjitimimit të BE-së dhe SHBA-së si ndërmjetës neutralë, duke e zgjatur modelin e stabilokracisë dhe duke e paraqitur çdo presion si sulm ndaj Serbisë.
4. Krijohet hapësirë për një zhvendosje më të lirshme strategjike drejt Rusisë, duke e paraqitur atë si partner alternativ në kushtet e “presionit” perëndimor.
Në logjikën e luftës hibride, narrativa paraprin lëvizjen. Diskursi përgatit terrenin. Dhe kur terreni përgatitet me kujdes, zakonisht kjo nënkupton se paralelisht po zhvillohen kalkulime dhe manovra të tjera në prapaskenë.
Pra, qëndrimet nga Kosova duhet të jenë unike dhe të forta kundrejt Serbisë dhe i tillë duhet të jetë edhe bashkëpunimi e lobimi me aleatët perëndimor kundrejt strategjisë ruso-serbe.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit