Me sistemin e ri të kontrollit elektronik, institucionet kompetente do të mund të verifikojnë shpejt nëse një automjet ka regjistrim dhe sigurim të vlefshëm, nëse është teknikisht në rregull dhe sa ndot. Këtë e parashikojnë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për automjetet, të propozuara nga Qeveria, të cilat tashmë janë në procedurë kuvendore.
Të gjitha automjetet do të pajisen me ngjitëse të njëjta, por të dhënat e pronarit nuk do të jenë të dukshme publikisht. Kategorizimi ekologjik mbetet, kështu që automjetet do të ndahen në tri kategori, të gjelbër, të verdhë dhe të kuqe, sipas standardit dhe gazrave të shkarkimit që maten. Kush e heq, e dëmton, e modifikon, e shkatërron ose e kalon ngjitësen në një automjet tjetër, rrezikon gjobë prej 500 eurosh.
Si do të ndahen automjetet
Kategoria e gjelbër: automjetet me standard “Euro 5” e më lart, makinat elektrike dhe hibride, si dhe disa automjete “Euro 3” dhe “Euro 4” që kanë sistem me gaz ose pajisje për uljen e emisioneve.
Kategoria e verdhë: automjetet me “Euro 3” dhe “Euro 4”.
Kategoria e kuqe: automjetet me “Euro 2” e më poshtë, si dhe ato për të cilat prodhuesi nuk ka të dhëna për emisionet.
Kategorizimin do ta bëjnë shërbime teknike të autorizuara, mbi bazën e dokumentacionit dhe matjeve. Shpenzimin do ta paguajë pronari, ndërsa shumën e saktë do ta përcaktojë ministri i Energjetikës. Nga ky detyrim përjashtohen disa automjete zyrtare dhe automjetet e disa kategorive të personave me aftësi të kufizuara dhe me gjendje të rënda shëndetësore.
Detyrim i ri për pronarët
Pronarët e automjeteve do të duhet ta lajmërojnë çdo ndryshim të numrit të telefonit dhe të adresës elektronike në një stacion të autorizuar për kontroll teknik, më së voni brenda tri ditësh. Kush nuk e bën këtë, rrezikon gjobë prej 100 eurosh.
Regjistër më i gjerë i automjeteve
Regjistri do të përmbajë të dhëna për regjistrimet, pronarët, kontrollet teknike, gazrat e shkarkimit, kilometrat e kaluara, sigurimin, ndërrimet e pronësisë, importin, eksportin dhe automjetet e shkatërruara. Të dhënat do t’i fusin disa institucione dhe persona juridikë të autorizuar, ndërsa noterët do të jenë të detyruar ta regjistrojnë ndërrimin e pronësisë në të njëjtën ditë kur e vërtetojnë kontratën.
Qasje në regjistër do të kenë disa institucione, ndër to ministritë e Transportit, Energjetikës dhe Mjedisit, Drejtoria Doganore, Drejtoria e të Hyrave Publike, njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe shërbimet teknike të autorizuara. Të dhënat për automjetet e çregjistruara do të ruhen 20 vjet. Për mosfutjen e të dhënave parashikohen gjoba prej 50 eurosh për zyrtarët e autorizuar dhe deri në 5.000 euro për disa persona juridikë. Personi përgjegjës në një shërbim teknik mund të gjobitet me 500 euro.
Kontrolle më të rrepta për stacionet e kontrollit teknik
Kontrollet do të verifikojnë nëse maten si duhet gazrat e shkarkimit, frenat dhe sistemi i drejtimit, nëse respektohen procedurat dhe nëse të dhënat futen rregullisht në sistemin elektronik. Nëse gjenden parregullsi, personit juridik mund t’i ndalohet kryerja e kontrolleve teknike për 30 ditë, që t’i rregullojë mangësitë. Nëse nuk i rregullon, i merret autorizimi dhe bashkë me të edhe e drejta për identifikimin dhe vlerësimin e gjendjes teknike të automjeteve.
Gjobat për firmat do të varen nga madhësia e tyre dhe mund të arrijnë deri në 10.000 euro. Provimet për personat profesionalë në shërbimet teknike dhe në stacionet e kontrollit teknik do të incizohen, ndërsa disa prej tyre do të transmetohen drejtpërdrejt në ueb-faqen e Ministrisë së Energjetikës.
Zgjidhje për traktorët dhe makineritë pa status të rregulluar
Projektligji mundëson edhe rregullimin e statusit të traktorëve, rimorkiove të traktorëve, motokultivatorëve, makinerive mobile, rimorkiove për banim dhe automjeteve të tjera bashkëngjitëse, të cilat deri tani nuk kanë mundur ta përfundojnë procedurën për përcaktimin e pronësisë ose për regjistrim. Pronarët do të mund t’i paraqesin propozim gjykatës kompetente, me të dhëna për markën, tipin, numrin e shasisë dhe të motorit, vitin e prodhimit dhe arsyet e kërkesës. Do të duhet të dorëzojnë edhe deklaratë të vërtetuar te noteri se e posedojnë automjetin me mirëbesim dhe se për të nuk zhvillohet procedurë tjetër gjyqësore.








