Policia e Maqedonisë së Veriut më 17 korrik ka publikuar Konkursin për punësimin e 150 punonjësve të rinj policor. Ky konkurs do të jetë i hapur 15 ditë, transmeton Portalb.mk.
“Shpallje publike për themelimin e marrëdhënies së punës të 150 realizuesve në vendin e punës “Polic” për punë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përkatësisht në Sektorin e Punëve të Brendshme Shkup 150 realizues”, sqaroi MPB-ja.
Në Konkurs janë theksuar disa nga kushtet që duhet tëplotësojnë kandidatët: të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut;- të jetë në moshë madhore, dhe të mos i ketë mbushur 25 vjet; të përdorë në mënyrë aktive gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik;të ketë përfunduar së paku arsim të mesëm katërvjeçar; të mos jetë i dënuar, të mos jetë anëtar i ndonjë partie politike dhe kushte tjera të theksuara në Konkurs, si gjatësia së paku 170 cm për djem dhe 160 për vajza.
Kujtojmë se në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen këtë vjeshtë në Маqedoninë e Veriut, ueb-faqja e Agjencisë së Administratës është e vërshuar nga shpalljet për punësime. Kërkohen punonjës administrativë për ministri, komuna, ndërmarrje publike, spitale, ndërsa shpalljet janë të hapura deri në fund të korrikut, kur hyjnë në fuqi rregullat zgjedhore, sipas të cilave duhet të pezullohen procedurat, përveç rasteve kur ato janë urgjente.
Bashkimi Demokratik për Integrim e konsideron hapjen e mbi 730 konkurseve publike në prag të zgjedhjeve si një përpjekje të hapur dhe të dëshpëruar të Qeverisë për të manipuluar qytetarët dhe për të blerë përkrahje politike përballë humbjes së pashmangshme që e pret në tetor.





