Një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të këtij viti pritet të mbahet të martën në Kumanovë, ku do të zhvillohet koncerti solemn i edicionit të 9-të i organizuar nga Shoqata “Pro Art – Simfonik”.
Ky edicion do të sjellë për publikun një përvojë të veçantë artistike, duke ndërlidhur tingujt e lashtë arbëreshë me meloditë e pasura të trevës së Shkodrës. Në skenë do të ngjiten sopranoja e njohur Besarta Murtezani dhe Ansambli “Dardanus”, të cilët do të sjellin një performancë të fuqishme, autentike dhe emocionale – një udhëtim përmes rrënjëve kulturore të shqiptarëve, përtej detit dhe përtej kohës.
Ngjarja është konceptuar si një homazh për trashëgiminë kulturore, për ruajtjen e gjuhës, muzikës dhe identitetit kombëtar.
“Ky koncert është më shumë se një paraqitje artistike – është një dëshmi e gjallë e kulturës sonë, një mënyrë për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive të një populli që këndon edhe atëherë kur historia hesht”, theksoi Orhan Shaqiri, drejtuesi i shoqatës “Pro Art – Simfonik”.
Koncerti do të mbahet në ambientet e sallës së Kurorëzimeve në Kumanovë. Projekti realizohet me mbështetjen financiare të Komunës së Kumanovës, bashkëpunimin e Këshillit Komunal, dhe ndihmën e partnerëve si kompania “Top Driver”, Komuna e Likovës si dhe partnerë tjerë.(INA)