Komuna e Tetovës lëshoi shërbimet digjitale! Rokas: Pa digjitalizim nuk ka modernizim të shtetit

Pas pesë viteve pritje, Komuna e Tetovës ka lëshuar në përdorim paketën e shërbimeve digjitale të financuar nga Bashkimi Evropian, me synim eliminimin e radhëve në sportele dhe luftimin e burokracisë në urbanizëm e transport.

Kryetari i komunës, Bilall Kasami, deklaroi se procesi është pothuajse tërësisht i digjitalizuar dhe do të ofrojë shërbime efikase për qytetarët dhe ndërmarrjet përmes platformave online.

“Banorët do të përfitojnë shërbime shumë efikase përmes aplikacionit dhe aplikacioneve që janë në uebfaqe ku do marrim shërbime, sidomos ndërmarrjet që merren me shërbime ndaj qytetarëve e që kanë të bëjnë me lidhjen me shërbimet e komunës. Pra bëhet fjalë për një proces gati se qind për qind të digjitalizuar”, tha Bilall Kasami.

Ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, nënvizoi se ky transformim është një kriter kyç për agjendën evropiane reformuese, duke lehtësuar qasjen e investitorëve dhe përgatitur vendin për anëtarësim në bllok.

“Është një nga proceset kyçe për komunat evropiane, solucioni digjital për komunën e Tetovës dhe e konsiderojmë si projekt transformues shumë të suksesshëm sepse do lehtësoj jetën e përditshme të qytetarëve por po ashtu edhe investitorëve që duan të vijnë të investojnë në Tetovë. Po ashtu përgatit komunat dhe vendin për aksesin në BE, sepse digjitalizimi është plani kryesor i agjendës evropiane reformuese”, tha Mihalis Rokas.

Ndërkohë, Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, kërkoi që ky model të ndiqet edhe nga komunat e tjera, duke u kyçur në sistemin nacional të ndërveprueshmërisë për të siguruar një standard të unifikuar të shërbimeve. Me këtë hap, Tetova tenton të lërë pas epokën e vulave dhe dokumentacionit fizik, ndonëse mbetet sfidë funksionaliteti i plotë i sistemit në terren.(INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit