Komandanti i NATO-s paralajmëron Rusinë: Nuk duam luftë, por nëse sulmohemi, do të luftojmë

Advertisement
Komandanti i Lartë i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, deklaroi se Aleanca nuk kërkon konflikt me askënd, por do të përgjigjet me forcë ndaj çdo sulmi kundër një prej vendeve anëtare. Mesazhi u dha në Forumin e Sigurisë në Varshavë, në një periudhë tensionesh në rritje mes Rusisë dhe vendeve evropiane.

NATO nuk kërkon luftë, por është e gatshme të mbrojë territorin e saj dhe vendet anëtare në rast sulmi. Ky ishte mesazhi i qartë i gjeneralit amerikan Alexus Grynkewich, komandantit të Lartë të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjatë fjalimit të tij në Forumin e Sigurisë në Varshavë, të hënën, më 12 tetor.

“NATO nuk kërkon luftë me askënd. Por askush të mos e interpretojë faktin se NATO është një aleancë mbrojtëse si dobësi. Nëse dikush është aq i marrë sa të na sulmojë, ne do të luftojmë”, deklaroi Grynkewich.

Gjatë fjalimit të tij, gjenerali amerikan prezantoi atë që e quajti “teoria e fitores” së NATO-s, duke shpjeguar se si do të reagonte Aleanca në rast të një sulmi ndaj territorit të saj.

Sipas tij, fillimisht forcat aleate do të ndalonin sulmin dhe do të pengonin përparimin e kundërshtarit. Nëse sulmi do të vazhdonte, NATO do të ndërmerrte veprime për të dobësuar forcat armike dhe, nëse do të ishte e nevojshme, për të shkatërruar kapacitetet e tyre luftarake.

Grynkewich paralajmëroi se përgjigjja nuk do të kufizohej vetëm te njësitë që do të kryenin sulmin, por mund të përfshinte edhe strukturat që i mbështesin, i furnizojnë dhe i komandojnë ato.

Mesazhi i tij synon të tregojë se NATO është e përgatitur të reagojë në mënyrë të koordinuar dhe vendimtare ndaj çdo agresioni kundër vendeve anëtare.

Deklaratat vijnë në një kohë kur disa qeveri evropiane kanë shprehur shqetësim për aktivitetet që ia atribuojnë Rusisë, përfshirë sabotazhet, incidentet me dronë dhe sulmet kibernetike.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit