Së fundi, ai që e shprehu publikisht merakun ishte Dritëro Agolli; “Kam frikë se me këto denoncimet nga qytetarët që inkurajon qeveria, do na kthejë në një popull spiun”, – tha shkrimtari i njohur në një intervistë; “ne kemi vuajtur nga kjo gjë. Njerëzit do kenë frikë të rrinë e të flasin bashkë në një tavolinë”. Në fakt Dritëroi ka parasysh përvojën e hidhur të komunizmit në këtë drejtim, kur tema për të cilën po flasim, “letrat anonime”, kishin fuqi të pazakontë mbi jetën e njerëzve. Ndërsa sot kemi nismat e denoncimit të kundra-vajtjeve dhe shkeljeve të ligjit, që për hir të së vërtetës kanë një histori më vete këto 25 vitet e fundit. Deri vonë, edhe në media vihej në pah një shoqëri indiferente, jo-komunitare, ku krimet ndodhnin para syve dhe njerëzit kthenin kokën nga ana tjetër.
“Në Gjermani, apo Francë, apo Belgjikë… është vetë komshiu apo lagja, apo kalimtarët, ata që marrin menjëherë në telefon policinë”, – thoshin dhe thonë emigrantët tanë. Ja pra, që nismat e fundit janë sjellë si shembull perëndimor, që s’duhet ngatërruar me diktaturën.
Le të kthehemi tek letrat anonime të kohës së diktaturës. Kemi në dorë shumë letra të kësaj natyre, ku shkruesi përpiqet të gjejë zgjidhjen me anë të “një gishti kartë”. Drejtuar jo dokujtdo, por vetë ministrave të diktaturës. Halle familjare, probleme me fqinjët, kërkesa për punësim, strehim, tema nga më të larmishmet. Por sidomos, dhe kjo është më tragjikja, spiunime të hapura dhe të fshehta.
Gërmime në të famshmet “biografi” të shokëve, kolegëve të punës, bashkëfshatarëve, të cilat të shndërruara në copa letrash me shkrim dore, gati gjithmonë me gabime drejtshkrimore e me sintaksë të fandaksur, përfundonin në sekretariatet e Kadri Hazbiut, Mehmet Shehut apo Prokop Murrës, duke shkatërruar automatikisht jetë njerëzish.
Sigurisht, ato rishkruheshin të daktilografuara nga stafi i ministrisë së Mbrojtjes (shumica e letrave kishin për personazhe ushtarakë, familjarë apo të afërm të tyre), sepse jo rrallë ishin qëllimisht të vështira për t’u lexuar, (ndoshta shkruheshin me dorën e majtë).
Nëse shpesh ka qarkulluar mes shqiptarësh në trajtë barsolete, ideja se “atëherë” në çdo tre veta dy ishin spiunë, ky vandak letrash e afron edhe pak më shumë me të vërtetën këtë pohim. Dhe deklarata pendimtare e letraxhiut Jovan Bregu nga komedia e famshme e realizmit socialist, “Pallati 176”, merr nota ku e ku më të hidhëta se humori i arrirë i asaj vepre: “Thashë ta bëja dhe unë provë anonimen, s’e kisha provuar asnjëherë”.
Një pjesë e madhe e letrave janë me emër të autorëve, por me ose pa autorësi, informacionet dërgoheshin në kanalizimet dhe rrjetet përkatëse deri poshtë në bazë për verifikim dhe pastaj merreshin ose sugjeroheshin masat e duhura.
Ankesat ishin nga më të ndryshmet, por një dukuri tipike e regjimit bie menjëherë në sy: Kush ishte përjashtuar nga puna apo ulur në detyrë në kohën e kryeministrit Mehmet Shehu, i ankohej Kadri Hazbiut, e kur këta u shpallën armiq, i shkruanin Prokop Murrës se ishin dënuar “prej tradhtarëve M. Shehu e K. Hazbiu”.
Në total, volumi i madh i mesazheve dëshmon se ashtu si nxjerrja e inatit me njëri-tjetrin, edhe shpresa për zgjidhjen e hallit, kishte për destinacion të fundit të shqiptarit zbatimin e formulës “i shkrova letër ministrit”. Çka në disa raste, është zbatuar edhe me tre a katër letra të njëpasnjëshme.
me Beqirin e pati grurë, me Mehmetin e kishte akoma më mirë. Ky e bëri zv. ministër dhe profesor dhe Mehmeti e ngriti lart rolin e këtij njeriu. Ky njeri gjithmonë vetëm ka premtuar por punë nuk ka kryer. Të shikohet, se unë kam mendimin që ky është armik, dhe në drejtim të fortifikimit ky ka sabotuar.
Përsa i përket Alfred Moisiut, ky ishte shok i Kadriut dhe që kur erdhi ministër Kadriu, ky u bë zv. ministër dhe nuk flitesh me të, nuk i dilje dot përpara se ky të shikonte me syrin se është biri i Spiro Moisiut. Ai vdiq me respekt, por i biri është në radhën e armiqve sepse është borgjezuar komplet. Vetëm për shtëpinë e tij është një bujë e madhe në Tiranë.
Hyrja e tij është me 8 dhoma, vetëm instalime janë shpenzuar mbi 20 mijë lekë të reja. Kjo çështje u bë problem nga partia dhe pushteti, por e mbylli Mendu Backa, se kishte sektorin ekonomik në ushtri. Mendui ka një shok, Thoma Laka, sekretar i byrosë së partisë në repartin 4930 Tiranë, ky e ka mbajtur afër…!
Ju lutem, keni ca sekretarë aty si Zija Beqiri dhe Zenel Frëngu, njerëz që hanë bukë me çdo lloj partie, nuk kryejnë asnjë punë përveçse duke gënjyer e premtuar përsa i përket kuadrit. Ju lutem shikoje me kujdes se ata kanë zënë rrënjë të qelbura dhe kanë luajtur me kuadrin siç kanë dashur vetë.
Kristaq Blushi nuk ka kryer detyrën siç duhet, por ka bërë ç’i kanë thënë armiqtë të cilët ishin në fuqi. Adil Kama, njeriu më i keq në ministrinë e Mbrojtjes, ka 20 vjet që nuk ka lënë asnjë nga miqtë dhe shokët pa rregulluar ku kanë dashur, dhe në ministri e në repart thonë: Ky është Brezhnjevi i dytë, si nga figura edhe nga shpirti.
Ju lutem të shikohet personi Nesib Ibrahimi, zv/sekretar i Komitetit të Partisë në MMP, këtë e pruri Mehmet Shehu, e dërgoi edhe në akademi, i ruajti vendin për dy vjet rresht. Ky njeri është servil, rron me këdo.
Shoku Prokop, pasi dolën gjithë këta armiq në ushtri, kam mendimin se detyra luftarake e korpuseve dhe njësive duhet ndryshuar sepse këto i janë dhënë armikut. Ju siguroj se letra ime nuk ka asnjë qëllim tjetër, vetëm për t’ju ndihmuar ju në interes të partisë dhe të popullit./ Memorie.al





