Kisha Ortodokse e Maqedonisë – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-KO) dhe Bashkësia Fetare Islame (BFI) edhe këtë vit në Regjistrin Qendror nuk kanë dorëzuar llogari vjetore, me të cilën do i prezantonin rezultatet e punës së tyre në vitin paraprak, atë 2025, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Afati për kryerjen e këtij detyrimi ligjor ishte deri më 28 shkurt. Nga Regjistri Qendror konfirmuan se dy personat juridikë nuk kanë dorëzuar llogari të tilla.
Në fakt injorimi i këtij detyrimi është një praktikë shumëvjeçare e KOM-KO dhe BFI. Nga viti 2010 deri në vitin aktual Kisha Ortodokse e Maqedonisë ka dorëzuar vetëm një llogari përfundimtare në të cilën nuk ka deklaruar të ardhura. Bashkësia Fetare Islame, nga ana tjetër, nuk ka dorëzuar as edhe një.
Ndërkohë dy institucionet shtetërore, Regjistri Qendror dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike, me sa duket nuk janë të interesuara ta kontrollojnë punën e tyre.
Përndryshe bashkësitë fetare regjistrohen sipas Ligjit për Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze, por kontabilitetin dhe detyrimet ndaj shtetit ato i përmbushin njësoj si organizatat joqeveritare, pra sipas Ligjit për Kontabilitetin e Organizatave Jofitimprurëse.
Kjo do të thotë se ato kanë detyrim që një herë në vit të dorëzojnë llogari vjetore përfundimtare. Ato nuk janë të detyruara ta respektojnë këtë detyrim vetëm nëse vlera e përgjithshme e pasurisë ose të ardhurat vjetore të tyre janë më pak se 2.500 euro.
Hulumtimi i BIRN i realizuar vitin e kaluar vërtetoi se të dy bashkësitë fetare kanë të ardhura vjetore shumë më të mëdha nga pragu i paraparë, prandaj ato duhet ta respektojnë këtë detyrim.





