21.8 C
Skopje
Sunday, April 27, 2025

Kërkoi heqjen e sekuestrimit të sendeve personale, Apeli i GJKKO rrëzon Ajola Xoxën

Apeli i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar ankimin e bërë nga shtetasja Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim.

Xoxa ka kërkuar që të hiqet masa e sigurisë së sekuestrimit të sendeve të saj personale. Telefoni, dokumente dhe materiale të tjera që u bllokuan nga SPAK gjatë kontrolleve të ushtruara në Dhjetor të vitit të shkuar, do të vijojnë të qëndrojnë në duart e hetuesve.

Në njoftimin e GJKKO-së shkruhet se Xoxa ka mundësi të ankimojë këtë vendim brenda 45 ditëve duke nisur nga dita e nesërme.

Mbi Xoxën rëndojnë 3 akuza: korrupsion pasiv të kryer në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ajo ndodhet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Gazetarja Glidona Daci raporton se Prokuroria e Posaçme e ka konsideruar celularin e Xoxës një provë të rëndësishme për hetimet e saj, ndaj dhe Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar argumentet e pretenduara të mbrojtësve ligjorë të gruas së kryebashkiakut të Tiranës. Deri më tani raportohet se celulari i saj pritet të qëndrojë i sekuestruar deri në përfundim të hetimeve.

Sakaq, ditën e djeshme, është kryer një kontroll në apartamentin një kat më sipër të banesës së çiftit Veliaj-Xoxa. Sipas gazetares, dyshohet se ky apartament është përdorur prej tyre e mund të ketë prova që do u shërbejnë hetimeve të SPAK.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit