Kryetari aktual i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, është në epërsi për 3,756 vota kundër kandidatit të AKI-së, Bajram Rexhepi. Edhe pse ka diferencë, Kasami nuk arriti të fitojë që në raundin e parë. Kasami mori gjithsej 19,028 vota, ndërsa Rexhepi 15,272 vota.
Festa e VLEN-it filloi në sheshin e Tetovës menjëherë sapo u shpallën rezultatet, ku Kasami bashkë me kryetarët e komunave të tjera të Pollogut që fituan që në rrethin e parë apo shkuan në balotazh. Në fjalën, Kasami tha se ata që dolën me idenë e referendumit për zgjedhje të parakohshme duhet të mendojnë nëse do të kërkojnë zgjedhje të reja.
“Ne dolëm me kandidatët më të mirë që kishim, nga Likova deri në Strugë, dhe me programin më të mirë që ofron zgjidhje për problemet e qytetarëve. Kundërshtarët tanë, pa program dhe pa kandidatë të fuqishëm, dolën me idenë e referendumit, por nuk fituan asnjë komunë dhe dështuan edhe në listat për këshill. Ne jemi këtu për të garantuar se do të zgjidhim hallet e qytetarëve dhe për të ofruar zgjidhje të realshme, ndërsa pala tjetër duhet të vendosë nëse do të kërkojë zgjedhje të parakohshme ose jo”, tha Bilall Kasami.
Kandidati i AKI-së, Bjaram Rexhepi, përmes një postimi në rrjetet sociale falënderoi votuesit për mbështetjen e dhënë dhe tha se beteja për Tetovën vazhdon.