Kasami: Deri në fund të vitit do të shlyhen 2 milionë euro borxhe në përmbarim

Advertisement

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, pret që deri në fund të këtij viti të shlyhen rreth 2 milionë euro nga borxhet që aktualisht ndodhen në procedurë përmbarimore.

Kasami tha se, edhe pas shlyerjes së këtyre detyrimeve, obligimet financiare të komunës do të vazhdojnë të ekzistojnë, por sipas tij, ato do të menaxhohen në mënyrë të vazhdueshme dhe do të paguhen sipas dinamikës së krijimit të tyre.

“Besoj që me këtë dinamikë, diku deri në fund të këtij viti do të paguhen këto 2 milionë euro që i kemi për momentin në përmbarim. Borxhi do të vazhdojë, por është menaxhim i përditshëm i borxhit, ku ashtu si vijnë obligimet, ashtu edhe shlyhen. Pra, nuk do të ketë borxh te përmbaruesit”, deklaroi Kasami.

Duke folur për detyrimet që figurojnë në të dhënat e Ministrisë së Financave, kryetari i Tetovës sqaroi se një pjesë e tyre lidhen me projektet që realizohen përmes asistencës qeveritare nga kredia hungareze.

Sipas Kasamit, këto detyrime arrijnë në rreth 11 milionë euro, ndërsa rreth 8.5 milionë euro i takojnë drejtpërdrejt Komunës së Tetovës.

“Një pjesë që paraqitet si borxh, nëse futesh te Ministria e Financave, janë projektet që bëhen me asistencë qeveritare nga kredia hungareze. Është diku te 11 milionë euro, ndërsa vetëm i Komunës së Tetovës është diku 8.5 milionë”, tha Kasami.

Ai shtoi se ndërmarrjet e tjera nuk kanë detyrime të tilla, ndërsa Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”, sipas tij, ka rreth 3.9 milionë euro borxhe.

Çështja e borxhit të Komunës së Tetovës ka qenë një nga temat kryesore të bëra publike nga Kasami pas marrjes së detyrës së kryetarit në nëntor të vitit 2021, kur zëvendësoi Teuta Arifin.

Më 24 nëntor 2021, Kasami kishte njoftuar se borxhi i përgjithshëm i komunës, së bashku me ndërmarrjet publike dhe shkollat, arrinte në 24.01 milionë euro.

Problemet me borxhet në procedurë përmbarimore, ndërkaq, nuk janë të reja për Komunën e Tetovës. Në shkurt të vitit 2022, rreth katër muaj pas marrjes së mandatit, Kasami kishte deklaruar se rreth 7 milionë euro borxhe ndodheshin në përmbarim dhe se llogaria e komunës ishte e bllokuar.

Gjatë viteve në vijim, kryetari i Tetovës ka deklaruar se komuna ka arritur të shlyejë miliona euro nga detyrimet e trashëguara. Në gusht të vitit 2024, ai kishte bërë të ditur se ishin paguar mbi 5 milionë euro borxhe përmes përmbaruesve, ndërsa borxhi i komunës ishte ulur nga rreth 14 milionë në rreth 9 milionë euro.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit