Kaos në aeroportet evropiane nga sistemi i ri kufitar, radhë të gjata dhe vonesa për mijëra udhëtarë

Vjena, 13 prill Zhurnal.mk – Mijëra udhëtarë jo të BE po përballen me radhë të gjata, vonesa të mëdha dhe anulime fluturimesh në shumë aeroporte evropiane, si pasojë e zbatimit të sistemit të ri të kontrollit kufitar Entry/Exit System (EES) të Bashkimi Evropian.

 

Sistemi i ri kërkon regjistrimin biometrik të udhëtarëve nga vendet jashtë zonës Shengen, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografi të fytyrës gjatë hyrjes dhe daljes.

 

Radhë të gjata dhe vonesa u raportuan në fundjavë në disa nga aeroportet kryesore, përfshirë Gjenevën, Lisbonën dhe Maltën, ndërsa probleme u shfaqën edhe në Bruksel dhe Holandë.

 

Sipas raportimeve, situata vazhdoi edhe ditët në vijim, me pasagjerët në aeroportin e Brukselit dhe Aeroportin Schiphol në Amsterdam që raportuan pritje deri në dy orë në kontrollin e pasaportave. Në disa raste, udhëtarët përshkruan skena kaotike, me të moshuar dhe familje me fëmijë që prisnin për orë të tëra, ndërsa një pjesë e pikave automatike të kontrollit nuk funksiononin.

 

Situata u rëndua më tej në Milano, ku disa pasagjerë raportuan se disa u ndjenë keq dhe humbën ndjenjat pas pritjes deri në tre orë në radhë.

 

Ndërkohë, rreth 100 pasagjerë të kompanisë easyJet mbetën në aeroportin e Milanos Linate, pasi nuk arritën të kalonin në kohë kontrollin dhe fluturimi drejt Mançesterit u nis pa ta. Kompania theksoi se situata ishte jashtë kontrollit të saj dhe i cilësoi vonesat si “të papranueshme”.

 

Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Ryanair, e përshkroi zbatimin e sistemit si “kaos” dhe “çrregullim”, duke akuzuar Bashkimin Evropian se po ndëshkon udhëtarët britanikë pas Brexit.

 

Sistemi Entry/Exit System (EES), i cili zëvendëson vulosjen tradicionale të pasaportave, kërkon regjistrimin e të dhënave biometrike për të gjithë udhëtarët nga vendet e treta. Ai u prezantua fillimisht në tetor 2025 dhe pritet të zbatohet plotësisht në prill 2026.

 

Autoritetet dhe kompanitë ajrore u bëjnë thirrje udhëtarëve të paraqiten më herët në aeroporte, për shkak të pritjeve të gjata që po shkakton sistemi i ri.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit