“Jeni ambasadorët tanë më të mirë, investoni në Shqipëri” – Bajram Begaj: Diaspora nuk shihet më vetëm si burim remitancash, por si partner zhvillimi

Samiti i Katërt i Diasporës nisi sot në mbrëmje (13 prill) punimet e tij treditore

 

Ceremonia e mirëseardhjes u mbajt nën kujdesin e Presidentit të Republikës, i cili gjithashtu mbajti edhe fjalën para të pranishmëve në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit, në Tiranë.

 

Kreu i shtetit u shpreh se Samiti i Diasporës zhvillohet në një moment kyç për Shqipërinë, kur gjendet pranë anëtarësimit në BE, teksa ftoi të gjithë shqiptartë që të investonin në Shqipëri, në të gjitha fushat.

 

“Të nderuar bashkëkombas, miq, të ftuar, pjesëmarrës. Është kënaqësi e veçantë që t’ju përshëndes në këtë Samit të katërt të Diasporës. Samiti i Diasporës zhvillohet në një moment kyç, si kurrë më parë kaq pranë anëtarësimit në BE. Diaspora shqiptare është e pazëvendësueshme. Ajo duhet të jetë pjesë e mënyrës sesi mendojmë për shtetin dhe për të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptaria nuk mbaron aty ku mbarojnë kufijtë tanë. Ajo është një zemër që rreh kudo ku ka një shqiptar. Kur flasim për diasporën sot, flasim për ndikim global. Shqiptarët janë aty, nga maja e IA, te institucionet ndërkombëtare, te auditorët e universiteteve më të mira, te arti e sporti”, u shpreh presidenti në fjalën e tij.

 

Më tej ai theksoi se Diaspora është ambasadorja më e mirë e Shqipërisë kudo në botë, që “kontribuojnë jo me urdhër, por me krenari”. Begaj theksoi se diaspora nuk është burim remitancash, por zhvillimi.

 

“Ju jeni fuqia, jeni ambasadorët tanë më të mirë, që kontribuoni pa urdhër, por me krenari. Sot jemi në një hap tjetër, në një marrëdhënie të re, në një kontratë të re, ku Diaspora nuk shihet më si burim remitancash, por si partner i vërtetë zhvillimi. Lidhja nuk është vetëm e zemrës, por edhe e mendjes”, tha kreu i shtetit.

 

Ai i ftoi të gjithë që të investonin në Shqipëri me mendjen dhe kapitalin e tyre, teksa botën arbëreshe e cilësoi edhe si një dëshmi të gjallë identiteti.

 

“Për dekada diaspora ka qenë një ushtri ekonomike. Falë jush, shumë familje janë mbështetur ekonomikisht dhe kanë ecur përpara. Duam që të investoni mendjen dhe kapitalin tuaj këtu. Tashmë e drejta e votës nuk është më një premtim, por një realitet. Bota arbëreshe është një dëshmi e gjallë se identiteti shqiptar i mbijeton shekujve, por sot sfidat janë të tjera. Historia jonë ka qenë shpesh histori largimesh. Në rrugën tonë drejt Europës, diaspora shqiptare është zëri më i besuar”, u shpreh Begaj ndër të tjera.

 

Fjala e plotë e Presidentit Bajram Begaj:

 

“Mirëmbrëma dhe përshëndetje të gjithëve!

 

Mirë se keni ardhur!

 

Të nderuar bashkëkombës,

 

Të nderuar miq të ftuar dhe pjesëmarrës,

 

Është gëzim dhe kënaqësi e veçantë t’ju përshëndes në këtë Samit të Katërt të Diasporës sonë, në këtë samit ku familja shqiptare mblidhet sërish pas një rrugëtimi 1-vjeçar, një rrugëtim që dëshmon vullnetin e palëkundur për ta kthyer bashkëpunimin tonë në një projekt afatgjatë shtetëror.

 

Samiti i Diasporës zhvillohet në një moment kyç: kurrë më parë kaq afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të këtij procesi.

 

Në këtë rrugëtim, Diaspora shqiptare është e pazëvendësueshme. Ajo nuk është thjesht një pjesë e historisë sonë, por forca që përcakton se sa larg mund të shkojmë si komb. Ajo duhet të jetë pjesë e mënyrës si mendojmë për shtetin, për shoqërinë dhe për të ardhmen.

 

Shqipëria dhe shqiptaria nuk mbaron aty ku mbarojnë kufijtë tanë. Ajo është një zemër që rreh kudo ku ka një shqiptar.

 

Kur flasim për Diasporën sot, nuk flasim më vetëm për nostalgji, për mall apo për numra. Flasim për ndikim global. Shqiptarët janë aty: nga majat e inteligjencës artificiale, tek institucionet ndërkombëtare, tek auditorët e universiteteve më të mira, te sipërmarrjet e suksesshme, te sallat e operacionit, te fushat e sportit dhe skenat e artit.

 

Diaspora jonë nuk përfaqëson vetëm një histori suksesi individual. Ju jeni fuqia dhe forca jonë! Ju jeni ambasadorët tanë më të mirë, që kontribuoni pa urdhër, por me krenari!

 

Por ky potencial i madh juaji duhet shfrytëzuar.

 

Për vite me radhë, lidhja mes shtetit dhe Diasporës ka qenë më shumë emocionale, sesa strategjike. Më shumë fjalë, sesa veprime konkrete. Më shumë festime, sesa plane reale.

 

Koha e atij modeli ka mbaruar. Sot jemi në një hap tjetër, në një marrëdhënie të re, me një kontratë të re, një kontratë ku Diaspora nuk shihet më si burim remitancash, por si partner i vërtetë zhvillimi, ku shteti nuk kërkon vetëm kontribut, por hap dyert dhe krijon mundësi reale, ku lidhja nuk është vetëm e zemrës, por edhe e mendjes, e ekonomisë dhe e së ardhmes sonë të përbashkët.

 

Ky samit është pikërisht për këtë kalim: nga pyetja “çfarë mund të bëjë Diaspora për Shqipërinë?” – te pyetja: “çfarë mund të bëjmë së bashku?”

 

Për dekada, Diaspora ka qenë mushkëri ekonomike. Falë jush, shumë familje janë mbështetur financiarisht dhe kanë ecur përpara, por mendoj se koha e transfertave vetëm për konsum po mbyllet.

 

Synimi ynë është t’i kthejmë kursimet tuaja në kapitale zhvillimi, në investime reale në energji, turizëm, bujqësi, teknologji dhe ide të reja.

 

Duam që Diaspora jonë të jetë partnere e së ardhmes së Shqipërisë, që të investoni mendjen dhe kapitalin këtu, në vendi tuaj.

 

Por partneriteti kërkon angazhim, kërkon edhe përfaqësim. Tashmë e drejta e votës nuk është më një premtim. Është një realitet. Shqiptarët jashtë vendit votojnë dhe zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

 

Ndërsa shohim drejt vitit 2030, objektivit strategjik të anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian, nuk duhet të harrojmë busullën tonë: identitetin tonë kombëtar.

 

Bota arbëreshe është dëshmia e gjallë se identiteti shqiptar i mbijeton shekujve edhe kur është larg atdheut. Por sot sfidat janë të tjera. Prandaj, duhet të investojmë më shumë në gjuhën shqipe, në arsim, në rrjete profesionale dhe në qendra kulturore në botë, që brezat e rinj të mos e trashëgojnë Shqipërinë si një kujtim të largët, por si një lidhje të gjallë e të fortë.

 

Të dashur bashkëkombës,

 

Historia jonë ka qenë shpesh histori largimesh. E ardhmja jonë duhet të jetë histori lidhjesh. Një komb i vogël në hartë, por i madh në glob, nuk e ka luksin të jetë i ndarë. Dhe sfida jonë e përbashkët nuk është vetëm të flasim për Diasporën, por ta bëjmë Diasporën pjesë organike të sistemit tonë.

 

Në rrugën drejt Evropës Diaspora jonë shqiptare është zëri ynë më i besuar, përfaqësues i diplomacisë publike.

 

Në ekonomi, ju jeni ura jonë me botën.

 

Në dije, shkencë, kërkim dhe zhvillim, ju jeni burimi ynë më i çmuar.

 

Vendi ynë ka një pasuri që shumë vende e ëndërrojnë: një Diasporë të gjallë, të talentuar e të suksesshme.

 

Tani është momenti ta kthejmë këtë pasuri në një strategji që jep rezultate konkrete.

 

Ndaj, ju ftoj me zemër të mos e shihni Shqipërinë vetëm si vendin nga keni ikur! Shiheni atë si vendin ku mund të lini gjurmë të përhershme. Ne nuk po ndërtojmë këtu një shtëpi të re vetëm për veten. Po ndërtojmë shtëpinë tonë të përbashkët.

 

Ju nuk jeni të ftuar këtu.

 

Ju jeni në shtëpinë tuaj.

 

Mirë se erdhët në shtëpi!

 

Punë të mbarë samitit!

 

Shumë faleminderit!

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit