Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka mbrojtur vendimin për mbylljen e disa shkollave rajonale, pavarësisht kundërshtimeve të prindërve në disa vendbanime.
Janevska tha se në disa shkolla ka raste kur vetëm një fëmijë ndjek mësimin në një klasë, duke theksuar se një model i tillë nuk siguron, sipas saj, arsim dhe socializim të mjaftueshëm.
Ajo bëri të ditur se këtë vit pritet të mbyllen rreth 20 shkolla rajonale, kryesisht ato me më pak se pesë nxënës, por edhe disa me 7-8 nxënës. Sipas saj, qëllimi i procesit është krijimi i kushteve për arsim më cilësor dhe socializim më të mirë të fëmijëve.
Ministrja tha se rënia e numrit të nxënësve lidhet kryesisht me uljen e numrit të lindjeve, ndërsa ndikimin e emigrimit e vlerësoi si më pak të rëndësishëm.
Sipas Janevskës, në shtator pritet të ketë rreth 4.900 nxënës të klasës së parë më pak krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa shifra përfundimtare ende nuk është përcaktuar.






