Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka reaguar pas miratimit të rikonstruimit të Qeverisë në Kuvend, duke vlerësuar se ky proces konfirmoi stabilitetin politik dhe kohezionin e shumicës qeverisëse.
“Me votimin e rikonstruimit, u konfirmuan stabiliteti politik dhe kohezioni i qeverisë për të çuar përpara prioritetet strategjike të vendit.
Përpara nesh janë sfida që kërkojnë vendimmarrje, jo hezitim; reforma, jo justifikime; zhvillim, jo stagnim. Forcimi i shtetit ligjor, zhvillimi ekonomik, investimet, infrastruktura dhe integrimi evropian kërkojnë institucione që japin rezultate. Qytetarët kanë nevojë për një qeverisje që punon, jo për kriza artificiale apo kauza të rreme që prodhojnë përçarje. Kanë nevojë për stabilitet, përgjegjësi dhe vendime që e çojnë vendin përpara.
Edhe më tej, sikurse deri më sot, çdo institucion, çdo ministër dhe çdo vendim do të gjykohet nga ndikimi që sjell në jetën e qytetarëve. Ky është standardi që kemi pranuar dhe përgjegjësia që mbajmë.
Tani nis një fazë e re e punës, me më shumë përgjegjësi, ritëm dhe rezultate.
Na priftë e mbara!”, ka shkruar Mexhiti.





