Shkup, 19 Tetor 2025 – Zëvendëskryeministri i parë për mjedisin dhe planifikimin hapësinor, njëkohësisht kandidat i koalicionit opozitar VLEN, Izet Mexhiti, ka dhënë një deklaratë në ditën e votimeve, duke e cilësuar këtë si një moment vendimtar për drejtësinë sociale dhe përfaqësimin e dinjitetshëm të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Mexhiti theksoi se procesi zgjedhor është mundësi për të gjithë qytetarët që të ndikojnë drejtpërdrejt në rrugën që do të ndjekë vendi në vitet e ardhshme.
“Kjo nuk është një ditë e zakonshme. Sot qytetarët flasin me votë. Vendosin për barazi, për një shtet që funksionon për të gjithë, dhe për një të ardhme më të drejtë e më të zhvilluar për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut,” deklaroi ai.
Ai gjithashtu u shpreh krenar për fushatën e udhëhequr nga VLEN, duke e cilësuar atë si një model të angazhimit qytetar dhe politikës së përgjegjshme.
“Kemi bërë një fushatë dinjitoze, pa gjuhë të urrejtjes, duke u fokusuar në nevojat reale të qytetarëve. Sot, fjalën e fundit e ka populli,” shtoi Mexhiti.
Në përfundim, ai bëri thirrje për pjesëmarrje të qetë dhe masive në votime, duke nënvizuar se ndryshimi vjen vetëm kur qytetarët e marrin fatin në duart e tyre.