Kryetari i Levizjes Demokratike(LD), Izet Mexhiti ka komentuar Kongresin e BDI-së të mbajtur sot, duke e cilësuar atë si një “kongres-teatër” që u organizua pas debaklit zgjedhor pa asnjë reflektim dhe pa asnjë përgjegjësi politike.
Sipas Mexhitit, askush nuk u thirr në përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve, ndërsa në vend të debatit serioz dhe llogaridhënies, u shpërndanë “pamflete me tema madhore” për të mbuluar dështimin. Ai thekson se çështja thelbësore – kush mban përgjegjësi për humbjen – u anashkalua plotësisht.
Mexhiti kritikon ashpër edhe riciklimin e emrave të vjetër, të cilët, sipas tij, u prezantuan me “paketim të ri” duke u quajtur reformë një proces që në thelb nuk sjell ndryshim real. “Një rrobë e larë nuk është një rrobë e re”, shprehet ai.
Duke folur për procesin e brendshëm, Mexhiti vlerëson se delegimi i delegatëve ka qenë kontrovers, pa transparencë në nominime dhe kandidime, çka e ka shndërruar Kongresin në një farsë. Pa llogaridhënie dhe përgjegjësi politike, ai thotë se reforma mbetet vetëm formale, ndërsa Kongresi – një teatër me kukulla. (INA)





