Në një fjalim të fuqishëm gjatë konventës promovuese të koalicionit VLEN, kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti, dha mesazhe të qarta politike dhe u distancua hapur nga oponentët të cilët, sipas tij, kanë përfituar nga pushteti për interesa personale dhe jo për qytetarët.
“Ne nuk jemi vasalë. Shqiptari nuk tutet. Ne nuk shkojmë në Budapest për të negociuar me Nikolla Gruevskin. Ne nuk kemi borxh ndaj Sasho Mijallkovit,” deklaroi Mexhiti, duke akuzuar drejtëpërdrejt kundërshtarët për lidhje me qarqe të korruptuara të ish-pushtetit.
Ai renditi disa nga dallimet mes qasjes së VLEN-it dhe qeverisjes së mëparshme:
“Ne sollëm ligjin për mbylljen e kazinove, nuk sollëm kredi të shpejta dhe nuk shitëm aksione në bankën serbe. Ata kanë qenë shërbëtorët më të besueshëm të pushtetit – herë me VMRO-në, herë me LSDM-në – duke pranuar të mos përmendin UÇK-në sepse ua ndaloi padroni i tyre.”
Mexhiti u shpreh se e gjithë kjo përbën një tradhti të drejtpërdrejtë ndaj interesit kombëtar, duke ironizuar deklaratat e fundit të kundërshtarëve që, sipas tij, sot flasin për “shqiponja dhe zagarë”, ndërkohë që kanë qenë larg interesave të popullit.
“Nuk do t’ju ofendoj, por po pyes: a ishte ky çmimi për të blerë Soravinë? Për t’u bërë pjesë e bankës serbe? Ju nuk ishit në krah të popullit, por në kolltukët e qeverisë,” tha ai.
Ai e konsideroi të papranueshme që të negociohet për çështjet shqiptare, duke theksuar se VLEN nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie që amniston Gruevskin apo Mijallkovin, dhe as që vepron kundër interesit kombëtar.
“Ne nuk bëjmë pazare me kauzën shqiptare. Ne nuk e amnistojmë krimin. Ata që për një vit ndryshuan disa herë emrin dhe përbërjen politike, tani janë shndërruar në një aleancë të interesave personale, një përzierje e çuditshme mes huliganëve dhe profiterëve,” shtoi Mexhiti, duke e quajtur koalicionin kundërshtar “Aleanca e Korrupsionit për Integrim”.
Në lidhje me kundërshtarët politikë, ai lëshoi akuza të drejtpërdrejta edhe ndaj kundërkandidatit për komunën e Çairit, Bujar Osmani:
“Doktori i TikTok-ut nuk fiton respektin e Çairit duke qëndruar më afër Zajazit sesa Çairit. As duke kaluar nga lidhjet live ne darkat e fshehta në Budapest, Çairi nuk është vend për politikanë kamikaz. Çairi është burrni, nder dhe krenari.”
Në përmbyllje të fjalimit, Izet Mexhiti u shpreh i bindur në fitoren e VLEN më 19 tetor, duke theksuar se këto zgjedhje nuk janë të zakonshme:
“Nuk votojmë thjesht për një kandidat, por për të ndarë moralin politik nga pazaret politike. Për të dërguar në pension shokët e Artan Grubit. Ne do t’i deklasojmë në Çair dhe më gjerë.”