Italia është përballur me një seri vrasjesh të grave, me gjashtë raste të femicideve të raportuara brenda pak ditësh në zona të ndryshme të vendit.
Dy nga rastet e fundit u regjistruan të martën. Në Kalabri, pranë Kozencës, një grua 72-vjeçare u vra nga bashkëshorti i saj 74-vjeçar, i cili dyshohet se e ka goditur me gurë.
Në Colleferro, në jug të Romës, një grua 50-vjeçare me origjinë polake u vra me thikë. Për ngjarjen dyshohet bashkëshorti i saj 69-vjeçar, me origjinë tuniziane.
Një tjetër rast u regjistrua në afërsi të Venecias, ku një grua 39-vjeçare u vra nga ish-bashkëshorti i saj 43-vjeçar. Sipas raportimeve, viktima kishte bërë më herët kallëzime në polici për dhunë në familje.
Ngjarja ka ngritur shqetësime lidhur me trajtimin e rasteve të raportuara të dhunës dhe masat e marra për mbrojtjen e viktimave. Raportohet se edhe gra të tjera kishin denoncuar më herët të dyshuarin.
Seria e vrasjeve ka rikthyer në Itali debatin për dhunën ndaj grave dhe nevojën për masa më efektive parandaluese dhe mbrojtëse ndaj rasteve të dhunës në familje.






