Deputet i LSDM-së, njëherë edhe ish-ministër i Bujqësisë, Lupço Nikollovski është thirrur në stacion policor për bisedë informative, përcjell TV21. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nikollovski është marrë në pyetje nga një inspektor i Njësisë për Krim Ekonomik dhe Korrupsion.
“Po zhvillohen aktivitete, pas së cilave do ta informojmë opinionin në mënyrë përkatëse”, thonë nga MPB, pa dhënë detaje shtesë.
Përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, ka reaguar edhe Nikollovski, i cili hetimin në fjalë e cilëson si rast të montuar nga pushteti, siç thotë ai, me qëllim që të mbulojë skandalet e udhëheqjes aktuale.
“Nuk bëhet fjalë për shkelje të Ligjit për Prokurime Publike, as për kallëzim nga bujqit. Bëhet fjalë për një rast të montuar që synon të largojë vëmendjen nga çështjet e vërteta. Krimi nuk mbulohet me raste të montuara. Paaftësia nuk fshihet me sulme ndaj sukseseve të të tjerëve. Bujqve, vreshtarëve dhe prodhuesve që më kontaktuan këto ditë, ju falënderoj. Ju e dini çfarë kemi bërë. Ju jetoni nga ajo reformë”, ka shkruar Nikollovski.





