Investimi në fëmijë sot, garancia për ekonomi më të fortë nesër – Liamani paralajmëron reforma të reja sociale

Shkup – Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, theksoi se investimi në fëmijët sot është themeli i kapitalit njerëzor të së ardhmes dhe një faktor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit përcjell ora24.tv

Ai nënvizoi se ky investim ndikon drejtpërdrejt në produktivitetin e punës dhe rritjen ekonomike, duke shtuar se, përkundër progresit të arritur në vitet e fundit – përfshirë uljen e varfërisë së fëmijëve dhe miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve 2025–2029 – vendi ende përballet me sfida serioze sociale.

Sipas tij, Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve, përfshirë rritjen prej 15% të shtesave për fëmijë dhe masa të tjera në kuadër të programeve sociale.

Megjithatë, ministri theksoi se gratë vazhdojnë të mbajnë barrën më të madhe të kujdesit për fëmijët, ndërsa qasja e kufizuar në shërbime dhe mangësitë në sistemin e mbështetjes financiare shpesh i detyrojnë ato të bëjnë zgjedhje të vështira mes punësimit dhe përfitimeve sociale.

“Kur punësimi nënkupton humbje të menjëhershme të të drejtave sociale, sistemi krijon pengesa në vend që të ofrojë nxitje, duke thelluar ciklin e varfërisë,” deklaroi Limani.

Ai bëri të ditur se po shqyrtohet vendosja e një shtese universale për çdo fëmijë, një model që sipas tij ka treguar rezultate pozitive në uljen e varfërisë dhe rritjen e pjesëmarrjes në tregun e punës. Paralelisht, po analizohet edhe zgjerimi dhe rritja e nivelit të shtesave ekzistuese.

Qëllimi, sipas ministrit, është ndërtimi i një sistemi më gjithëpërfshirës dhe efikas të mbështetjes financiare për fëmijët, i orientuar drejt interesit më të mirë të tyre dhe që njëkohësisht nxit punësimin formal.

Në fund, ai theksoi se ky proces kërkon koordinim të fortë ndërinstitucional dhe se çdo masë duhet të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin real të jetës së fëmijëve dhe familjeve./ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit