Investime të reja infrastrukturore në Vrapçisht

Advertisement

Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, ditë më parë priti në një takim pune zëvendësministren e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, me të cilën diskutoi për realizimin e projekteve infrastrukturore që financohen nga Ministria e Transportit.

Kryetari Shabani theksoi se tre projekte janë financuar në thirrjen e parë dhe tetë në të dytën, ndërsa një pjesë e tyre tashmë kanë përfunduar, kurse të tjerat janë në fazën përfundimtare të realizimit. “Projektet përmes Ministrisë së Transportit i kemi në fushën e infrastrukturës. Disa projekte kanë përfunduar edhe me asfaltimin, ndërsa projektet e tjera janë në fazën përfundimtare. Gjithsej, nga këto dy thirrje, kemi 11 projekte. Në fazën e parë kemi pasur tre projekte, ndërsa në thirrjen e dytë kemi tetë projekte, që gjithsej bëjnë 11 projekte të financuara nga Ministria e Transportit. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Ministrinë e Transportit dhe shpresojmë që edhe në të ardhmen ta vazhdojmë këtë bashkëpunim për të mirën e të gjithë qytetarëve”, deklaroi kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani.

Gjatë takimit u bë e ditur se Komuna e Vrapçishtit do të realizojë 11 projekte infrastrukturore në kuadër të dy thirrjeve të Ministrisë së Transportit, me një vlerë prej rreth 2 milionë euro.

Sipas zëvendësministres së Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, bëhet fjalë për gjithsej 11 projekte, tre nga thirrja e parë dhe tetë nga thirrja e dytë. Sipas saj, të gjitha këto projekte kanë të bëjnë me rikonstruksionin e rrugëve, me një vlerë të përgjithshme prej afërsisht 2 milionë euro.

“Pas takimit që realizuam me kryetarin, për të parë se si mund të ndihmojmë dhe të përkrahim njëri-tjetrin institucionalisht për të mirën e të gjithë qytetarëve, do të dalim në terren për të inspektuar punimet dhe për të parë deri ku kanë avancuar. Secili prej projekteve ndodhet në një fazë të ndryshme të realizimit. Disa tashmë kanë përfunduar, ndërsa në disa lokacione të tjera po punohet intensivisht, pasi kjo është periudha më e përshtatshme për realizimin e punimeve. Jam shumë e lumtur që vijmë këtu me punë konkrete. Si Qeveri, jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë dhe të kontribuojmë në zhvillimin lokal të të gjitha komunave në Maqedoninë e Veriut”, tha zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri.

Ajo vlerësoi bashkëpunimin me Komunën e Vrapçishtit, duke theksuar se investimet në rikonstruksionin e rrugëve janë dëshmi e përkushtimit të përbashkët për zhvillimin e infrastrukturës lokale dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit