Ohër, 1 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri i Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, ka marrë pjesë sot në vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e një garazhi shumëkatësh në komunën e Ohrit, ndërsa ka inspektuar edhe disa projekte të tjera infrastrukturore në këtë qytet.
Gjatë vizitës, ai ka realizuar edhe një inspektim të punimeve në sheshin “Te Çinari”, si dhe të projektit për stacionin e pompimit “Metropol”, duke theksuar se një pjesë e projekteve të propozuara nga komuna dhe deputetët janë tashmë të realizuara, në fazë realizimi ose pritet të fillojnë së shpejti.
Mickoski u ndal edhe te ndërtimi i autostradës Kërçovë–Ohër, duke vlerësuar progresin e deritanishëm dhe duke theksuar se pritet që kjo rrugë të jetë plotësisht funksionale më së voni në tremujorin e parë të vitit 2027.
Ai falënderoi kryetarin e komunës, administratën lokale, këshilltarët dhe deputetët nga Ohri, si dhe përfaqësuesit e Qeverisë, për angazhimin e përbashkët në realizimin e projekteve që synojnë zhvillimin e rajonit.
Sipas tij, këto investime do t’i japin një pamje të re bregdetit të Ohrit dhe komunave përreth, ndërsa autostrada e re mbetet një nga projektet kyçe që po realizohet me intensitet të shtuar, pavarësisht sfidave me të cilat përballet Qeveria.





