Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njoftoi se janë marrë mostra të reja të ujit nga disa lokacione në Gostivar, ndërsa ndalesa për përdorimin e ujit mbetet në fuqi derisa institucionet kompetente të konfirmojnë se ai është i sigurt.
Drejtori i AUV-së, Oliver Milanov, bëri të ditur se dje janë marrë mostra nga një çezmë publike në Gostivar, nga dy kopshte për fëmijë, nga Spitali i Përgjithshëm, nga një restorant, si dhe nga çezmat në një kishë dhe një xhami.
“Janë marrë mostra nga një çezmë publike në Gostivar, nga çezmat në dy kopshte, nga çezma në Spitalin e Përgjithshëm, nga një restorant, si dhe nga çezmat në një kishë dhe një xhami. Instituti i Shëndetit Publik duhet t’i dorëzojë rezultatet e analizave të kryera dje”, deklaroi Milanov.
I pyetur se si po funksionon qyteti në kushtet kur uji është i ndaluar si për pije ashtu edhe për përgatitjen e ushqimit, veçanërisht në periudhën kur pritet ardhja e mërgimtarëve, organizimi i dasmave dhe rritja e numrit të mysafirëve në objektet hotelierike, Milanov tha se inspektorët e AUV-së janë vazhdimisht në terren.
“Dje dhe sot inspektorët e AUV-së janë në terren dhe punojnë 24 orë në ditë. Vetë restorantet duhet të sigurojnë ujë teknik. Nëse diçka që bie në kontakt me ushqimin, siç janë enët apo mjetet e punës, bie në kontakt me këtë ujë, do të pasojnë masa ndëshkuese”, tha drejtori i AUV-së.
Ai theksoi se uji nga sistemi i NP “Komunalec” – Gostivar nuk guxon të përdoret derisa institucionet kompetente të japin udhëzime të reja.
“Uji nuk është i përdorshëm derisa të japim një udhëzim tjetër. Duhet të sigurohet ujë i veçantë, teknikisht i sigurt, për përgatitjen e ushqimit dhe pijeve, njësoj edhe në spitale dhe institucionet publike. Nuk duhet të përdoret uji nga Komunalec-Gostivar”, deklaroi Milanov.





