Këshilltari i VLEN-it në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Astrit Iljazi, ka reaguar ndaj deklaratave të BDI-së lidhur me bulevardin “Hasan Prishtina”, duke thënë se partia opozitare po e paraqet si sukses një projekt që, sipas tij, nuk është realizuar gjatë kohës kur ishte në pushtet.
Iljazi thotë se në vitin 2023 Qytetit të Shkupit i janë transferuar 360 milionë denarë për këtë projekt, duke ngritur pyetjen pse bulevardi nuk u ndërtua, nëse mjetet ishin siguruar.
Sipas tij, edhe pretendimi për 8 milionë euro duhet parë në kontekstin e projekteve të ndryshme. Ai thekson se rreth 2 milionë euro ishin ndarë në vitin 2021 për nyjën “Nikolla Karev–Slloveneçka”, ndërsa rreth 6 milionë euro ishin transferuar në vitin 2023 për bulevardin “Hasan Prishtina”.
Iljazi i referohet edhe të dhënave të Entit Shtetëror të Revizionit, sipas të cilit një pjesë e mjeteve për projekte infrastrukturore kishin mbetur të pashfrytëzuara në llogaritë e Qytetit të Shkupit.
Ai thekson se për disa prej projekteve mungonin kontratat për realizim, ndërsa nuk ishin paraqitur dëshmi të mjaftueshme lidhur me gatishmërinë teknike dhe çështjet pronësore-juridike.
“Transferimi i parave nuk është i njëjtë me realizimin e projektit. Të transferosh para dhe të mos ndërtosh asgjë nuk është sukses”, shprehet Iljazi.
Në fund, këshilltari i VLEN-it thotë se qytetarët presin projekte konkrete dhe realizim në terren, duke theksuar se prioritet duhet të jetë përfundimi i projekteve infrastrukturore dhe jo vetëm sigurimi i mjeteve financiare.






