Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj vendimit për ridestinimin e mjeteve të parapara për ndërtimin e bulevardit “Hasan Prishtina”, i njohur edhe si Rruga e Kaçanikut.
Nga BDI-ja thonë se më 6 prill 2023, Qeveria e atëhershme kishte ndarë tetë milionë euro për këtë projekt. Sipas tyre, dy milionë euro ishin paraparë për ndërtimin e rrethrrotullimit te kryqëzimi me bulevardin “Slloveneçka”, ndërsa gjashtë milionë euro për vazhdimin e bulevardit “Hasan Prishtina” deri te qarkorja e Shkupit, ku do të lidhej me autostradën Shkup-Bllacë.
Sipas BDI-së, projekti ishte pjesë e një zgjidhjeje më të gjerë infrastrukturore që do të mundësonte një lidhje më funksionale mes autostradës Shkup-Bllacë dhe qytetit të Shkupit.
“Autostrada Shkup-Bllacë nuk ka kuptim të plotë pa një hyrje moderne, funksionale dhe dinjitoze në Shkup nga drejtimi i Kosovës. Sot, e vetmja hyrje në Shkup që nuk ka formën e një bulevardi është pikërisht hyrja nga Kosova”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga partia pretendojnë se Qyteti i Shkupit kishte përgatitur projektin për bulevardin dhe kishte zhvilluar bisedime me subjektet afariste që veprojnë në zonën e Vizbegut.
BDI-ja shpreh kundërshtim ndaj ridestinimit të gjashtë milionë eurove për një projekt tjetër dhe vlerëson se mjetet duhet të përdoren për realizimin e bulevardit “Hasan Prishtina”.
Në reagim përmendet edhe autostrada Shkup-Bllacë, për të cilën BDI-ja pretendon se projekti ishte përgatitur gjatë mandatit të qeverisë së atëhershme, ndërsa sipas tyre, realizimi i tij është vonuar dhe kostoja është rritur për më shumë se 30 milionë euro.
BDI-ja thekson se lidhja e plotë infrastrukturore nga kufiri me Kosovën deri në Shkup duhet të përfshijë edhe bulevardin “Hasan Prishtina”, duke kërkuar që projekti të vazhdojë të realizohet.






