Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në Shkup në aktivitetin për shënimin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.
Hoxhaj ishte pjesë e panelit së bashku me Ali Ahmetin, ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Vlado Buçkovski dhe ish-ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Paskal Milo. Gjatë diskutimit u trajtua rëndësia historike e Marrëveshjes së Ohrit dhe roli i saj në të ardhmen e vendit.
Në fjalën e tij, Hoxhaj e cilësoi Marrëveshjen e Ohrit si një ngjarje historike dhe një proces të pakthyeshëm, duke e krahasuar atë me rëndësinë që ka Plani i Ahtisaarit për Kosovën.
“Marrëveshja e Ohrit është një ngjarje e madhe historike dhe një lëvizje historike e cila është e pakthyeshme. Nëse dikush mendon se mund ta rikthejë prapa, ta rishkruajë apo ta rikornizojë, e ka gabim”, deklaroi Hoxhaj.
Ai tha se marrëveshja përbën një bazë për rregullimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe një angazhim të Maqedonisë së Veriut ndaj Perëndimit, duke theksuar se zbatimi i saj mund të kontribuojë në procesin e integrimit evropian.
Sipas Hoxhajt, Marrëveshja e Ohrit nuk i merr asgjë shtetit, por përkundrazi, kontribuon në forcimin e tij dhe në krijimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme.






