Epidemiologu Danilovski: “Spërkatja ajrore nuk ndihmon kundër mushkonjave tigër”

Advertisement

Epidemiologu Dragan Danilovski ka deklaruar se spërkatja ajrore nuk është efektive kundër mushkonjave tigër, duke theksuar se në kushtet aktuale nevojitet dezinfektim lokal dhe tokësor.

Sipas Danilovskit, ndryshimet klimatike, temperaturat e larta dhe zgjatja e verës kanë krijuar kushte të favorshme për shumimin e mushkonjave dhe përhapjen e sëmundjeve infektive.

Ai tha se rastet e etheve të Nilit Perëndimor të regjistruara në vend janë tashmë autoktone, pra janë rezultat i qarkullimit të virusit brenda territorit të vendit dhe jo raste të importuara.

“Prej lart nuk mund t’u bëni asgjë. Këtu e vetmja masë që vjen në konsideratë është dezinfektimi lokal, tokësor”, tha Danilovski në emisionin “Intervistë në Telma”.

Ai shtoi se masat që po ndërmerren aktualisht janë masa kundër epidemisë dhe jo masa parandaluese.

Ndërkohë, Qendra për Shëndet Publik – Shkup ka shpallur epidemi të etheve të Nilit Perëndimor në komunat Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom, Butel dhe Ilinden, si dhe në lagjet Draçevë, Przhino, Dollno Lisiçe, Kadino dhe Jurumleri.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të marrin masa mbrojtëse ndaj mushkonjave, duke theksuar se nuk ka vend për panik.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit