Hoxha: Programi LIFE hap mundësi të reja për projekte mjedisore në Maqedoninë e Veriut

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, ka bërë të ditur se Maqedonia e Veriut po përfiton nga përfshirja në programin e Bashkimit Evropian, LIFE Programme, duke hapur rrugë për projekte konkrete në fushën e mbrojtjes së mjedisit, përcjell Zhurnal.

Në një tryezë të rrumbullakët me temë “Nga politika në praktikë”, ministri Hoxha theksoi se vendi ynë është ndër të parët në rajon që i është bashkuar këtij programi, duke e konsideruar këtë një avantazh të rëndësishëm për zhvillimin e politikave mjedisore.

“Me këtë, hapim mundësi të reja për projekte konkrete mjedisore dhe për mbrojtjen e burimeve tona natyrore. LIFE nuk është vetëm një fond, por një mekanizëm për një transformim të vërtetë të gjelbër drejt një ekonomie energjetikisht efikase dhe një mjedisi të shëndetshëm për jetesë”, deklaroi Hoxha.

Ai shtoi se institucionet, në bashkëpunim me partnerët dhe sektorin civil, po punojnë për forcimin e kapaciteteve, me qëllim që politikat strategjike të shndërrohen në veprime konkrete në terren.

Programi LIFE i BE-së synon të mbështesë projekte që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në vendet pjesëmarrëse.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit