Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha po merr pjesë në Forumin e Dubrovnikut në Kroaci, ku u prit fillimisht nga homologu i tij kroat Gordan Grlić Radman.
Në një postim në rrjetet sociale, Hoxha e cilësoi këtë forum një platformë të rëndësishme për dialog mbi të ardhmen e Evropës, si dhe për sigurinë rajonale dhe sfidat globale.
“Ky edicion i 19-të i Forumit është i përqendruar në temën: Epoka e Multipolaritetit: Shumë drejtime, një e ardhme. Megjithatë, për Shqipërinë ka vetëm një drejtim që të çon drejt të ardhmes sonë: anëtarësimi në BE”, shkroi Hoxha.
Hoxha theksoi se ndërsa përparojmë në këtë rrugë, ne mbetemi të përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal, mbështetjen e vlerave euroatlantike dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët tanë për të ndërtuar një Evropë më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të begatë.





