Haxhiu për Marshin: Qëndrim i qartë dhe me dinjitet
U.d. e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka falënderuar organizatorët dhe qytetarët që morën pjesë në Marshin për Liri në Prishtinë.
Haxhiu tha se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë për çlirim dhe vlerësoi se marshi u zhvillua në mënyrë paqësore dhe me dinjitet, duke nderuar sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.
Postimi i saj:
Falënderoj organizatorët e Marshit për Liri dhe qytetarët që sot dolën në Prishtinë për ta shprehur paqësisht dhe me dinjitet një qëndrim që në Kosovë ka qenë dhe mbetet i qartë.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim. Ajo erdhi pas viteve të shtypjes dhe dhunës së një regjimi që përdori gjithë aparatin e vet shtetëror kundër shqiptarëve në Kosovë.
Marshi i sotëm tregoi se ky qëndrim mund të shprehet fuqishëm duke ruajtur njëkohësisht qetësinë dhe dinjitetin. Kështu i bëhet nder sakrificës së atyre që luftuan dhe Republikës që u ndërtua mbi atë sakrificë.
Burimi: botasot.info / ora24.tv






