Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar Pentagonin, me c’rast është takuar me Drejtorin për Evropë dhe Politikat e NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes, Alton V. Buland.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shkruar se gjatë takimit me Bulan, i ka argumentuar nevojën për anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO.
Madje, Haradinaj ka thënë se një proces i përshpejtuar i anëtarësimit të Kosovës në NATO, e ndihmon sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
“Në fillim të takimit e falënderova z. Buland për angazhimin e madh që Ushtria dhe Qeveria Amerikane e ka në mbështetje të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj, në veçanti në ndihmën që i kanë dhënë dhe i japin forcimit të Ushtrisë së Kosovës. Gjatë takimit me z. Buland argumentova nevojën për anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO. Theksova se një proces i përshpejtuar i anëtarësimit të Kosovës në NATO e ndihmon sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Theksova se Kosova dhe Ushtria gjithmonë do të jetë në krah me Amerikën dhe shteteve tjera anëtare të Aleancës veri-atlantike të NATO-s”, ka shkruar Haradinaj.
Teksa në përfundim, kreu i AAK-së ka thënë se ka konfirmuar që lidhja e Kosovës me Amerikën do të jetë e përjetshme.