Ambasada e Ukrainës në Tiranë hapi sot ekspozitën përkujtimore të titulluar “Katër vite rezistencë”, për të nderuar viktimat nga sulmet ruse si dhe për të shprehur solidaritet në 4-vjetorin e nisjes së luftës.
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në sheshin “Skënderbej”, pranë bashkisë së Tiranës, morën pjesë zyrtarë të ambasadës së Ukrainës në Tiranë, ambasadori Shkurov, ambasadori i Delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato, nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, qytetarë dhe vizitorë, sikundër edhe shtetas të Ukrainës që jetojnë në Shqipëri.
Ekspozita sjell në përvjetorin e katërt të agresionit rus mbi Ukrainën pamje të shkatërrimit dhe vuajtjeve që ka sjellë lufta për Ukrainën dhe popullin e saj, si një moment reflektimi dhe mbështetjeje për rezistencën.
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, u shpreh gjatë fjalës së rastit se “asnjë marrëveshje nuk mund të jetë e besueshme pa Ukrainën”.
Gonzato siguroi se Bashkimi Europian do të vazhdojë që të mbështesë përpjekjet për të garantuar llogaridhënien, gjithashtu do të ketë presion diplomatik, derisa paqja të jetë e sigurt.
Ai vlerësoi rezistencën e popullit ukrainas dhe falënderoi Shqipërinë për mbështetjen.
“Kjo ishte një ditë që e mbaj mend shumë mirë. Në shok dhe në mosbesim dëgjuam lajmin. Pas katër vitesh luftë jemi të vendosur që të shikojmë më tej, në vitin 2026 ku agresioni rus do të marr fund. BE është i vendosur, kërkon paqe në Ukrainë, paqe afatgjatë. Ndërkohë që Ukraina ka demonstruar vazhdimisht dëshirën për paqe, Rusia ka kundërshtuar”, tha Gonzato.
Gonzato theksoi se paqja duhet të jetë e drejtë, e gjatë dhe me afate të gjata sigurie.
“Pretendimet e Rusisë janë kontradiktore, që kërkojnë paqe, teksa ata sulmojnë infrastrukturën ukrainase. Paqja dhe integriteti janë angazhime thelbësore për sigurinë e të gjitha shteteve. Nëse agresioni normalizohet, integriteti territorial bëhet i negociueshëm. Një paqe e gjatë në Ukrainë është kritike. Llogaridhënia për vuajtjet duhet të jetë gjithashtu e rëndësishme. Populli ukrainas po tregon rezistencë heroike. Ukrainasit meritojnë mbështetjen tonë të plotë”, tha ai.
Ambasadori Gonzato falënderoi Shqipërinë për mbështetjen, ndërsa theksoi se “është e rëndësishme që në këto kohë vendet e BE dhe ata në rrugën e integrimit të tregojnë unitet në veprime dhe qëllime. Është koha që të mos hezitojmë në promovimin e rregullave tona të përbashkëta”.
Ndërsa ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov tha se vendi i tij po reziston falë forcës dhe ndihmës nga partnerët amerikanë e europianë.
Shkurov falënderoi në veçanti edhe Shqipërinë, ndërsa u shpreh se Ukraina kërkon paqe afatgjatë dhe mbështetja e aleatëve tregon se duhet të veprojë ligji ndërkombëtar.
“Si rezultat të sulmeve masive, qytete të tëra kanë mbetur pa energji. Njerëz të moshuar, fëmijë, po rrinë në kushte çnjerëzore. Spitalet po qëndrojnë me gjeneratorë. Ne qëndrojmë falë forcës sonë, mësuesve që po mësojnë fëmijët nën strehimet e bombave. Ne rezistojmë falë një shoqërie, kjo është ndërgjegjja e njerëzve që kanë zgjedhur demokracinë. Ne rezistojmë sepse nuk jemi vetëm, falënderojmë ata që na kanë ndihmuar me ushtrinë, ndihma ekonomike. Kjo mbështetje shpëton jetë”, tha ai.
Ambasadori Shkurov shprehu mirënjohjen për qeverinë dhe shqiptarët, të cilët i cilësoi “partnerë të besueshëm që e dinë mirë çmimin e lirisë”.
“Falënderoj miqtë tanë amerikanë dhe evropianë. Mbështetja konsistente dërgon një mesazh që lufta duhet të ndalojë dhe ligji ndërkombëtar duhet të veprojë. Ukraina nuk kërkon një kompromis apo konflikt të ngrirë, por paqe afatgjatë. Sot do doja t’i drejtohesha ukrainasve që jetojnë këtu, le të kujtojmë që jemi një pjesë e pandashme këtu. Mirënjohje mbrojtësve të atdheut tonë, ata që kanë dhënë jetën për lirinë ukrainase”, tha Shkurov. /KultPlus.com



