Hapa strategjikë për zhvillimin e Strugës – takim i kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, me ministrin Muamet Hoxha

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, sot priti ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Muamet Hoxha, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Komunën e Strugës.

Në takim u diskutua për sfidat aktuale infrastrukturore dhe mjedisore me të cilat përballet qyteti, me theks të veçantë në gjendjen e furnizimit me ujë, si dhe për realizimin e disa projekteve që janë me rëndësi të veçantë për përmirësimin e mjedisit jetësor dhe cilësisë së jetës së qytetarëve.

Në kuadër të bisedimeve u shqyrtuan edhe projekte konkrete që janë në realizim ose në fazë përgatitore, ndër të cilat:
• zëvendësimi i gypave të azbestit në rrjetin e ujësjellësit në qytetin e Strugës
• ndërtimi i kolektorit tranzit për ujërat fekale në relacionin Ladorishtë – Kalishtë
• përgatitja e dokumentacionit teknik për ndërtimin e një stacioni për pastrimin e ujërave të zeza në fshatin Llabunishtë

Kryetari Qyra theksoi përkushtimin e fuqishëm të Komunës së Strugës për realizimin e projekteve zhvillimore dhe mjedisore, duke nënvizuar se bashkëpunimi institucional me ministrinë përkatëse është me rëndësi të veçantë për tejkalimin e sfidave të kahershme infrastrukturore dhe për sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm të qytetit.

Takimi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror, me një qëllim të përbashkët – një Strugë më moderne, më e qëndrueshme dhe më e rregulluar.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit