Në prag të procesit të aplikimeve për kompensimin e fermerëve, i cili nis më 1 korrik, Administrata Tatimore ka marrë ankesa nga fermerët lidhur me moslëshimin e auto-faturave nga subjektet grumbulluese.
Në këtë kuadër, Administrata Tatimore bën të ditur se do të ndërmarrë verifikime të thelluara në të gjithë zinxhirin e sektorit bujqësor.
Sipas DPT-së, kontrollet do të përqendrohen te subjektet grumbulluese dhe përpunuese, për të evidentuar nëse aktiviteti i tyre zhvillohet në përputhje me legjislacionin tatimor, nëse lëshohen faturat përkatëse dhe për të identifikuar raste të mundshme të përdorimit të NIPT-eve fiktive.
Paralelisht, do të verifikohen edhe fermerët e regjistruar me NIPT, për të përcaktuar nëse ushtrojnë realisht aktivitet bujqësor apo nëse bëhet fjalë për regjistrime fiktive.
Administrata Tatimore thekson se do të ndërmarrë masa administrative ndaj çdo subjekti që nuk respekton detyrimin për lëshimin e autofaturave tatimore për blerjet e produkteve bujqësore nga fermerët, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Njëkohësisht, DPT sjell në vëmendje se fermerët përfitojnë kompensim për furnizimet e mallrave apo shërbimeve të kryera ndaj personave të tatueshëm të regjistruar për TVSH, të cilët ushtrojnë aktivitet si grumbullues, përpunues të produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar, sipas legjislacionit në fuqi për turizmin dhe që nuk janë përfitues të skemës së kompensimit.
Norma e kompensimit është 10% e vlerës totale të produkteve të furnizuara nga prodhuesi bujqësor, të dokumentuara me faturë tatimore, përgjatë një periudhe 6-mujore.
“Për këtë arsye, u bëhet thirrje të gjithë fermerëve që të kërkojnë faturën tatimore për çdo shitje të kryer ndaj subjekteve grumbulluese, përpunuese apo agroturizmeve të certifikuara, në mënyrë që të përfitojnë të drejtën e kompensimit”, deklaron DPT.
Administrata Tatimore siguron se mbetet e angazhuar në forcimin e formalizimit të ekonomisë, rritjen e transparencës dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.






