Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të parodistit të njohur nga Vlora, Mane Lumani, i cili ndërroi jetë dje në moshën në moshën 79-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë me të cilën ishte përballur prej kohësh.
Gonxhja tha se figura e Lumanit u kthye në simbol të humorit cilësor dhe të një tradite artistike që ka lënë gjurmë në kulturën tonë.
Mane Lumani, yll i estradës dhe mjeshtër i humorit, u bë i njohur si pjesë e grupit legjendar 4 Parodistët e Vlorës.
“Me një kontribut të vyer në artin skenik shqiptar, ai i dha publikut jo vetëm të qeshura, por edhe reflektim përmes satirës së mençur dhe interpretimit plot finesë. Për dekada me radhë, figura e tij u kthye në simbol të humorit cilësor dhe të një tradite artistike që ka lënë gjurmë në kulturën tonë”, theksoi Gonxhja.
Mane Lumani ka kontribuar në skenën artistike me një stil të veçantë komik, duke sjellë gëzim dhe duke krijuar kujtime që ende i qëndrojnë kohës.
Rrugëtimi artistik i Mane Lumanit zë fill në vitin 1974. Ai e nisi si aktor amator në ndërmarrjen e Ullishtës, ku spikati menjëherë për talentin e rrallë, mimikën dhe aftësinë e jashtëzakonshme për të imituar personazhe të ndryshme me një elegancë të rrallë komike.
Momenti i kthesës së madhe që do të shënjonte historinë e humorit shqiptar ishte bashkimi i tij me Agron Hoxhën, Afrim Agalliun dhe Muhamet Likën. Së bashku, ata formuan “4 Parodistët e Vlorës”, një grup që krijoi një stil të papërsëritshëm./atsh/KultPlus.com



