Gjyqi
Procesi do të shqyrtohet nga gjyqtarja federale Yvonne Gonzalez Rogers, – kryegjyqtare federale në Kaliforni- e njohur për vendimet e saj në çështje të profilit të lartë në sektorin e teknologjisë.
Ajo ishte gjyqtarja në gjyqin e bujshëm Elon Musk kundër Sam Altman dhe gjatë pothuajse 20 viteve në bankën e gjyqtarëve ka fituar reputacionin e një gjyqtareje të mprehtë dhe direkte.
Padia vjen pas një tjetër goditjeje për kompaninë. Së fundmi, një gjykatë në Nju Meksiko e gjobiti Metën me 942 milionë dollarë dhe urdhëroi ndryshime të ngjashme në Facebook dhe Instagram.
Gjyqtari Bryan Biedscheid kërkoi heqjen e numrit të pëlqimeve për përdoruesit nën 18 vjeç, kufizimin e njoftimeve gjatë ditës dhe ndalimin e dërgimit ose marrjes së materialeve nudo nga adoleshentët.
Ai e cilësoi Metën si një “shqetësim publik”, duke e krahasuar me një fabrikë që ndot ajrin dhe shkakton pasoja të dëmshme për të gjithë komunitetin.
Nëse 30 shtetet fitojnë çështjen e tyre, Meta mund të detyrohet të zbatojë ndryshimet në të gjithë Shtetet e Bashkuara, pasi shtetet pjesëmarrëse përfaqësojnë gati dy të tretat e popullsisë amerikane.
‘Adoleshentët dhe facebook’
Një nga pikat kryesore të padisë lidhet me sistemin e pëlqimeve (like), i cili ka qenë pjesë e Facebook-ut që nga ditët e para të platformës.
Sipas studimeve të shumta dhe dokumenteve të brendshme të Metës, numri i pëlqimeve mund të nxisë krahasime sociale, ulje të vetëvlerësimit, ndjenja vetmie, probleme me imazhin trupor dhe simptoma depresive te të rinjtë.
Avokatët e shteteve amerikane kanë paraqitur edhe kërkime të vetë Metës, sipas të cilave Instagram lidhet me rritjen e vetmisë, përkeqësimin e perceptimit për trupin dhe ndikime negative në gjendjen emocionale të adoleshentëve.
Sipas gjyqtarit Biedscheid, mënyra se si kanë funksionuar platformat e Metës për më shumë se një dekadë ka kontribuar në një krizë të shëndetit mendor te të rinjtë, jo vetëm në Nju Meksiko, por edhe në pjesë të tjera të SHBA-së.
Tashmë, 30 shtete të tjera po përpiqen të bindin gjykatën federale të arrijë në të njëjtin përfundim, në një proces që mund të ndryshojë rrënjësisht të ardhmen e rrjeteve sociale, shkruan BBC.






