Përplasjet mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv rreth pavarësisë financiare po thellohen. Beteja mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe gjyqtarëve tanimë është zyrtarizuar, ndërsa financimi i gjyqësorit mbetet arsyeja kryesore e konfliktit.
Sipas juristëve, ky konflikt që po zhvillohet prej ditësh, edhe pse paraqitet si debat publik, në esencë është çështje shumë serioze. Avokati Zvonko Davidoviq, për televizionin 24, theksoi se askush nuk duhet të trajtohet si “arin e bardhë” dhe të jetë i paprekshëm, sepse ligji duhet dhe duhet të respektohet nëse shteti synon të ketë rend juridik funksional.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në një paraqitje televizive sqaroi se për vitin 2025 janë planifikuar 2 miliardë e 334 milionë denarë për pagat në gjyqësor, ndërsa kërkesat fillestare të institucioneve gjyqësore për buxhetin e ri arrinin 3 miliardë e 751 milionë denarë – pothuajse 1 miliard e 400 milionë denarë më shumë se niveli aktual.
“Nuk mjafton të thuhet 0.3%, 0.4% apo 0.8%. Duhet të dimë nga cilat të ardhura vijnë ato mjete. Aktualisht jemi duke bërë analiza të detajuara për të përcaktuar përqindjen e saktë të buxhetit që do t’i takojë gjyqësorit dhe prokurorisë. Qëllimi ynë është përdorimi racional i mjeteve dhe planifikim transparent brenda kufijve ligjorë”, u shpreh ministrja.
Tema u bë kryefjalë në opinion pasi Këshilli Gjyqësor, Gjykata Supreme dhe Shoqata e Gjyqtarëve publikuan një deklaratë të përbashkët, duke reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit për gjyqtarët dhe gjyqësorin. Ata vlerësuan se fjalët e Mickoskit e kanë kaluar “kufirin e sjelljes së mirë” dhe janë shndërruar në “sulm të paargumentuar dhe paushall” ndaj pushtetit gjyqësor.
Nga ana tjetër, kryeministri Mickoski u kundërpërgjigj se gjyqësori do ta marrë pavarësinë financiare që e kërkon, por paralajmëroi se do të ketë përgjegjësi për çdo denar të shpenzuar. Sipas tij, pas kësaj, mbetet në dorën e gjyqtarëve nëse në të ardhmen do të funksionojë drejtësia apo padrejtësia.





