Gjorgjievski: Nga 40 milionë në 400 milionë denarë në llogarinë e Shkupit – brenda 40 ditësh kthyem qytetin në stabilitet financiar

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orçe Gjorgjievski, ka deklaruar se administrata e re ka trashëguar një gjendje katastrofale financiare, por brenda vetëm 40 ditësh ka arritur të stabilizojë buxhetin dhe të rrisë ndjeshëm të hyrat e qytetit.
Sipas tij, Shkupi ishte lënë me vetëm 40 milionë denarë në llogari, ndërsa sot disponon mbi 400 milionë denarë. Ai theksoi se raportet tremujore nga periudha e Petre Shilegovit dhe Danella Arsovskës janë ndër më problematiket në historinë e qytetit, me të hyra mujore mesatare prej vetëm rreth 317 milionë denarësh.
Gjorgjievski nënvizoi se në 40 ditë janë realizuar mbi 659 milionë denarë të hyra, pothuajse dyfish më shumë se çdo muaj i mëparshëm. Ai shtoi se menjëherë pas marrjes së mandatit, qyteti u përball me vendime përmbarimore prej mbi 50 milionë denarësh, ndërsa ndërmarrjet publike ishin të mbingarkuara me borxhe dhe pa paga për punëtorët.
Kryetari bëri të ditur se me ribalancimin e buxhetit janë siguruar rreth 200 milionë denarë për paga të prapambetura, si dhe janë ulur detyrimet ndaj furnitorëve nga 330 në 236 milionë denarë. Po ashtu, trashëgimia e proceseve gjyqësore aktive arrin në 2.9 miliardë denarë.
Në arsim, Gjorgjievski tha se për 40 ditë është bërë më shumë se në mandate të tëra më parë: ndërtim i terreneve sportive në gjashtë shkolla të mesme, pajisje për pastrimin e ajrit, teknologji IT, tabela smart dhe mobilim i ri shkollor.
Ai paralajmëroi investime të mëdha infrastrukturore, përfshirë Luna Parkun, fazën e parë të nëntokësores pranë “Limak”, rrethrrotullimin në Gjorçe Petrov, zhbllokimin e projekteve të mbetura pezull dhe rindërtimin e rrugëve në disa lagje të Shkupit.
Gjorgjievski veçoi edhe marrëveshjen me Qeverinë për 360 milionë denarë për transportin e studentëve, si dhe aksionet për pastrimin dhe zbukurimin e qytetit për festat e fundvitit.
“Kur ka vullnet dhe përkushtim, gjithçka është e mundur. E dimë se nuk është e lehtë, por po vjen koha kur Shkupi do ta jetojë realisht ndryshimin,” përfundoi kryetari i Shkupit.

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit