Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se më shumë se 1.200 pacientë onkologjikë kanë aplikuar në thirrjen për mbështetje financiare, ndërsa pagesat për të gjithë ata që i kanë plotësuar kushtet janë përfunduar ose do të realizohen gjatë ditës së nesërme.
Gjorgjievski tha se çdo aplikim është shqyrtuar me kujdes dhe përgjegjësi, me qëllim që ndihma të arrijë tek qytetarët që kanë më shumë nevojë.
“Ekzistojnë momente kur fjalët nuk mjaftojnë. Momente kur njerëzillëku nuk matet me atë që themi, por me atë nëse i japim dorën dikujt kur i është më e vështirë”, deklaroi Gjorgjievski.
Ai bëri të ditur se thirrja për mbështetje financiare mbetet e hapur dhe se të gjithë pacientët që i plotësojnë kushtet, por ende nuk kanë aplikuar, mund ta bëjnë këtë.
Sipas Gjorgjievskit, pas çdo numri qëndron një njeri dhe një familje që po përballet me një sfidë të rëndë jetësore, ndaj mbështetja institucionale duhet të jetë e vazhdueshme dhe konkrete.
“Qëllimi ynë është që asnjë pacient dhe asnjë familje të mos ndihen të vetmuar në periudhën kur u nevojitet më së shumti ndihma”, theksoi Gjorgjievski.






