Një park i ri me sipërfaqe prej 71 mijë metrash katrorë do të ndërtohet në lagjen Novo Lisice, në një lokacion pranë Shtëpisë së Futbollit të FFM-së dhe stacionit të fundit të autobusit të linjës “5”, ku më parë ndodhej një deponi e egër.
Fillimin zyrtar të punimeve e shënuan sot kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, dhe kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski.
Sipas projektit, në këtë hapësirë do të mbillen rreth 1.000 drunj, prej të cilëve mbi 800 do të jenë gjetherënës, ndërsa pjesa tjetër halore. Parku do të përfshijë gjithashtu shtigje për qasje, kënde rekreative për fëmijë dhe hapësira për pushim.
Gjorgjievski tha se hapësira e lënë pas dore do të shndërrohet në një zonë të gjelbër dhe të dedikuar për qytetarët.
“Me këtë park, së bashku me parqet që tashmë i kemi ndërtuar dhe ato në të cilat po punojmë, arrijmë rreth 200 mijë metra katrorë gjelbërim parkor”, deklaroi Gjorgjievski.
Ai theksoi se mbjellja e çdo druri të ri paraqet investim për ajër më të pastër dhe një mjedis më të shëndetshëm, veçanërisht për gjeneratat e reja.
Sipas tij, qëllimi është që çdo lagje e Shkupit të ketë më shumë hapësira të gjelbra dhe vende për rekreacion e shoqërim.
“Vazhdojmë ta ndërtojmë Shkupin në mënyrë të barabartë, në çdo komunë, me përkushtim të njëjtë ndaj çdo qytetari. Ndërtojmë sot për gjeneratat që vijnë – për një Shkup më të gjelbër dhe një jetë më të bukur”, tha Gjorgjievski.






