Stuhia e fuqishme që përfshiu Shkupin shkaktoi dëme të konsiderueshme dhe rrëzoi një numër të madh drunjsh. Megjithatë, sipas kryetarit të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, trungjet e shëndetshme të drunjve të rrëzuar nuk janë trajtuar si mbeturina, por janë shfrytëzuar për krijimin e një hapësire të re në Vodno.
Gjorgjievski njoftoi se në Vodno është ndërtuar një park i ri motorik, i cili është dedikuar për lëvizje, rekreacion dhe zhvillimin e shprehive të shëndetshme te qytetarët e të gjitha moshave.
“Trungjet e shëndetshme nga drunjtë e rrëzuar nuk i lamë të përfundojnë si mbeturina, por u dhamë një jetë dhe qëllim të ri. Vodno tashmë ka një përmbajtje të re, të dedikuar për lëvizje, rekreacion, socializim dhe krijimin e shprehive të shëndetshme për të gjitha gjeneratat”, shkroi Gjorgjievski në një postim në Facebook.
Sipas tij, parku i ri përmban pengesa natyrore dhe rekuizita të ndryshme, të cilat synojnë të ndihmojnë në zhvillimin e ekuilibrit, koordinimit, shkathtësisë, precizitetit dhe përgatitjes fizike.
Ai theksoi se hapësira do t’u mundësojë fëmijëve të zhvillojnë aftësitë motorike përmes lojës, ndërsa të rinjtë dhe të moshuarit do të kenë mundësi të ushtrojnë dhe të kalojnë më shumë kohë në natyrë.
Gjorgjievski bëri të ditur se parqe të ngjashme do të ndërtohen edhe në Parkun e Pyllit Gazi Babë dhe në Saraj. Në zonat ku janë larguar drunjtë e rrëzuar, sipas tij, tashmë ka nisur mbjellja e fidanëve të rinj, ndërsa në gjysmën e dytë të shtatorit pritet të fillojë një fushatë e madhe vjeshtore për pyllëzimin e qytetit.
“Kjo është vetëm një pjesë e aktiviteteve me të cilat po ia rikthejmë shkëlqimin Vodnos. E rindërtuam rrugën deri në Vodno të Mesme, po rregullojmë shtigjet dhe po restaurojmë pajisjet urbane, të cilat prej vitesh ishin lënë pas dore”, deklaroi ai.
Gjorgjievski theksoi gjithashtu se Shërbimi i Shpëtimit Malor tashmë vepron në Vodno dhe Matkë, me qëllim të reagimit të shpejtë dhe profesional në raste emergjente në terrene malore.
Sipas tij, këto aktivitete synojnë rritjen e sigurisë së vizitorëve dhe krijimin e kushteve më të mira për shfrytëzimin e hapësirave natyrore.
“Vodno është zemra dhe mushkëritë e gjelbra të Shkupit. Ne e ruajmë, e restaurojmë dhe e zhvillojmë me përgjegjësi. Hap pas hapi, po krijojmë një Vodno të sigurt, të rregulluar, të gjelbër dhe me përmbajtje për të gjitha gjeneratat”, theksoi Gjorgjievski.






