Mundësitë për bashkëpunim mes Qytetit të Shkupit dhe Zvicrës, veçanërisht në fushën e qeverisjes lokale, mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe përmirësimit të shërbimeve publike, ishin temë e takimit të sotëm të kryetarit të Shkupit, Orce Gjorgjievskit, me ambasadorin zviceran në vend, Kristof Somer.
Në takim, siç u njoftua nga Qyteti i Shkupit, është biseduar për zhvillimin e Shkupit dhe mundësitë për shkëmbimin e njohurive dhe praktikave të mira.
Gjorgjievski theksoi se prioritet i administratës së qytetit është krijimi i partneriteteve që do të kontribuojnë për një jetë më cilësore të qytetarëve.
“Përvojat zvicerane në qeverisjen lokale, mbrojtja e mjedisit jetësor dhe përmirësimi i shërbimeve publike paraqesin një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive dhe praktikave të mira. Besoj se përmes dialogut të hapur dhe nismave të përbashkëta mund të krijojmë bazë për bashkëpunim me përfitime konkrete për qytetin tonë. Shkupi meriton të zhvillohet, të mësojë nga më të mirët dhe të hapë mundsi të reja për qytetarët e vet”, theksoi Gjorgjievski.








