Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski njoftoi se të mërkurën, në orën 11:00, do të vazhdojë aksioni më masiv për pastrimin e Shkupit. Ai tha se, do të pastrohen në më shumë se 50 lokacione – parqe, rrugë, shtigje për këmbësorë, hapësira publike dhe hapësira ndërmjet ndërtesave,
Gjorgjievski theksoi se në aksionin për pastrimin e Shkupit do të përfshihen sërish komunat, kryetarët e komunave, nxënësit dhe të gjithë qytetarët që dëshirojnë të investojnë një pjesë të kohës së tyre për të mirën e përbashkët.
“Njerëz të gjeneratave dhe profesioneve të ndryshme, të bashkuar nga dëshira për një Shkup më të pastër, më të bukur dhe më të shëndetshëm. Ju ftoj të na bashkoheni. Thirrni fqinjët, miqtë dhe kolegët tuaj. Të mblidhemi aty ku jetojmë, lëvizim dhe krijojmë kujtime çdo ditë. Të kujdesemi për vendet ku luajnë fëmijët tanë dhe t’u tregojmë se çfarë do të thotë të jesh i përgjegjshëm ndaj qytetit tënd. Sepse çdo fëmijë që sheh një të rritur duke u kujdesur për mjedisin, merr një shembull që vlen më shumë se një mijë fjalë”, theksoi ai.
Gjorgjievski më tej ka shtuar se, këto aksione do të organizohen dy herë në muaj, ndërsa për lokacionet e sakta dhe mënyrën e pjesëmarrjes, qytetarët duhet të informohen në komunën e tyre.








