Gjermania po shqyrton masa të reja dhe më të ashpra ndaj Rusisë, pas incidentit me një dron në aeroportin e Lajpcigut, për të cilin Berlini dyshon se mund të jetë pjesë e një sulmi hibrid të lidhur me Moskën.
Sipas disa burimeve të njohura me planin, qeveria gjermane po përgatit masa të drejtpërdrejta ndaj subjekteve ruse, paralelisht me paketën e re të sanksioneve që po përgatitet nga Bashkimi Evropian. Masat pritet të bëhen publike në fillim të javës së ardhshme, para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Irlandë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz kishte paralajmëruar më herët se incidenti në Lajpcig do të ketë pasoja serioze.
“Qeveria federale do t’i bëjë autorët e sulmeve hibride të paguajnë çmimin. Ata do të paguajnë për këtë”, deklaroi Merz, pa dhënë detaje për masat konkrete.
Sipas hetimeve të raportuara nga mediat, droni i interceptuar në aeroportin Lajpcig/Hale ishte i pajisur me eksploziv dhe dyshohet se kishte për qëllim një avion ukrainas të tipit “Antonov”, i cili përdoret edhe për transport të pajisjeve ushtarake. Informacionet e publikuara, duke iu referuar vlerësimeve të inteligjencës amerikane, e lidhin dronin me Rusinë. Moska i ka mohuar këto pretendime.
Autoritetet gjermane deri tani kanë qenë të kujdesshme në atribuimin e drejtpërdrejtë të përgjegjësisë ndaj Rusisë, duke kërkuar prova dhe indicie të forta.
Ndërkohë, BE-ja po përgatit një paketë të re gjithëpërfshirëse sanksionesh ndaj Moskës. Sipas burimeve diplomatike, në shqyrtim janë rreth 1.600 individë dhe kompani të tjera që mund të përfshihen në listën e sanksioneve, ndërsa po diskutohet sërish edhe mundësia e përdorimit të aseteve të ngrira të bankave shtetërore ruse.
Zhvillimet e fundit mund të shënojnë një fazë të re në politikën gjermane ndaj Moskës, të cilën disa zyrtarë gjermanë e kanë cilësuar si “Zeitenwende 2.0”, një tjetër kthesë e rëndësishme në politikën e sigurisë dhe mbrojtjes së Gjermanisë.






