Gjenerali Rahim Ademi: Mlladiqi s’ishte kurrfarë ushtaraku, guximin e tregoi te civilët e pafajshëm, unë i’a tregova vendin

Advertisement

Krimineli i dënuar i luftës, Ratko Mladiç, që ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare në spitalin e paraburgimit në Hagë, rrugën e tij të përgjakshme të luftës e filloi në rajonin e Dalmacisë.

Në verën e vitit 1991, ai u bë komandant i Korpusit të Nëntë (të Kninit) të JNA-së. Në atë zonë, JNA dhe njësitë paramilitare serbe kryen masakra në Shkabërni dhe Nadin, si dhe djegie të vendbanimeve në Kijevë, Vrlikë, Maljkovo dhe vende të tjera.

Mladiçi u përpoq të pushtonte Zarën (Zadar), Sibenikun dhe Sinjin, në mënyrë që të dilte në det.

Megjithatë, në këtë synim atë e ndaluan pranë Urës së Sibenikut forcat e komanduara nga gjenerali Rahim Ademi, ish-oficer i JNA-së iu bashkua Ushtrisë Kroate. Lidhur me aktgjykimin shkallë-parë të Mladiçit, ai kujtoi për “Al Jazeera Balkans” përleshjet e tij me “xhelatin e Ballkanit”.

Me pushtimin e Sibenikut, Mladiçi synonte të ndante Dalmacinë përgjysmë, për të siguruar drejtimet drejt Sinjit dhe Biogradit, e më pas drejt Splitit.

Për këtë arsye, Ademi e cilësoi mbrojtjen e Sibenikut si një nga fitoret më të mëdha kroate.

“Ajo ishte një ushtri e modernizuar, me tanke, ndërsa në atë kohë ne nuk kishim me çfarë të mbroheshim. Atëherë organizova marrjen e kazermës në Rogoznicë, ku siguruam armatim të rëndë dhe topa. Aty brenda natës formuam bateritë e artilerisë dhe vendosëm mbrojtjen para Shibenikut. Kështu e mbrojtëm Shibenikun, dhe pas kësaj shkuam rreth 25 kilometra pas Vodicës, arritëm të kalonim drejt Gaçelezës dhe me këtë bëmë zhbllokimin e Shibenikut. Kjo ishte humbja e tij, kurse unë si ushtarak e konsideroj fitoren më të madhe të Ushtrisë Kroate dhe fitoren e parë në Luftën e Atdheut, në luftën në Shibenik”, u shpreh Ademi.

Ai ia pamundësoi Mladiçit edhe pushtimin e digës së Peruçës, me shkatërrimin e së cilës kishte kërcënuar. Megjithatë, theksoi se diga u minua pas largimit të tij nga Brigada 126.

Ai shtoi se Mladiçin, “lavduar Zoti”, nuk e takoi dhe nuk e njohu kurrë, pasi mendon gjërat më të këqija për të.

“Mund të them se ai nuk ishte kurrfarë ushtari. Atyre aftësive të tij ushtarake të luftëbërjes nuk u dha kurrë provë; ‘guximin’ e tij e tregoi vetëm ndaj civilëve të pafajshëm, duke vrarë civilë dhe njerëz të paarmatosur. Sa u përket betejave, aty ka qenë gjithmonë një humbës i madh, dhe fytyra e tij shihet më së miri në atë që bëri në Shkabërni, ku vrau civilë, dhe në Srebrenicë. Kjo është turpi i tij më i madh, ka kryer krime lufte ndaj civilëve, dhe atë jo vetëm një, por shumë. Ai atje ka qenë komandant, më përgjegjësi dhe i vetmi që dinte të godiste ishte civilët, ndërsa kur ndeshej me Ushtrinë Kroate, tërhiqej gjithmonë. Kudo që ndiente se kishte civilë, popull të paarmatosur, dërgonte tanke dhe bënte krime, ndërsa ku ndeshte në rezistencën e Ushtrisë Kroate, tërhiqej gjithmonë, kështu që përjetoi humbje nga Ushtria Kroate për sa kohë ishte këtu”, deklaroi Ademi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit