Biznesmeni i njohur Marjan Jovanov, i njohur për publikun si Mane Levis, është gjetur i pajetë në oborrin e shtëpisë së tij në lagjen Karposh të Shkupit, raportojnë mediat lokale.
Jovanov ishte distributori i markës së njohur “Levis” në Maqedoninë e Veriut dhe një emër i njohur në botën e biznesit. Ai ishte përfshirë edhe në çështjen gjyqësore “Shkallët Spanjolle”, nga e cila më vonë u shpall i pafajshëm.
Sipas informacioneve të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme për mediumin “Skopje1”, më 28 qershor 2026, rreth orës 18:15, në një pishinë brenda oborrit të shtëpisë së tij është gjetur trupi i pajetë i M.J. (58) nga Shkupi.
Mjeku i ndihmës së shpejtë ka konstatuar vdekjen, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se nuk janë vërejtur shenja të dukshme dhune. Me urdhër të prokurorit publik, trupi është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Shkaqet e vdekjes mbeten ende të panjohura dhe pritet të sqarohen pas përfundimit të autopsisë, ndërsa institucionet kompetente vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.





