Gabimet më të shpeshta në përzgjedhjen e ushqimit në syfyr dhe iftar sipas mjekut Agron Rexhepi

Mjeku dhe nutricionisti sportiv, Agron Rexhepi gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital ka vënë në pah disa gabime të zakonshme që shumica e njerëzve bëjnë gjatë periudhës së agjërimit, kur bëhet fjala për përzgjedhjen e ushqimit në syfyr dhe iftar.

Gjatë një podcasti, ai ka shpërndarë këshilla të rëndësishme mbi mënyrën se si mund të menaxhojmë ushqimin gjatë kësaj periudhe për të ruajtur energjinë dhe shëndetin tonë.

Një nga gabimet më të zakonshme, sipas Rexhepit, është konsumimi i çajit të zi dhe kafes në kohën e syfyrit.

Ai shpjegon se këto pije përmbajnë kafeinë, e cila stimulon sistemin nervor, duke e bërë të vështirë arritjen e një gjendje relaksimi dhe të qetë para fillimit të agjërimit.

“Çaji i zi dhe kafeja kanë kafeinë që ngacmojnë sistemin nervor dhe nuk do të mundemi të pushojmë qetë”, thekson ai.

Po ashtu, siç tha Rexhepi konsumimi i ëmbëlsirave gjatë syfyrit shkakton një rritje të shpejtë të nivelit të insulinës, e cila shpërndan sheqernat në trup.

Rexhepi sugjeron që syfyri të jetë një vakt stabilizues i organizmit, që ndihmon trupin të përballojë agjërimin e gjatë.

Ai rekomandon konsumimin e drithërave integrale, tërshërës dhe karbohidrateve komplekse, të cilat mund të trajtojnë lehtësisht trupin dhe të sigurojnë energji të qëndrueshme.

Po ashtu, ai sugjeron ushqime si vezët, omletat, djathin dhe kosi, të cilat ofrojnë proteina dhe lëngje, të cilat janë të nevojshme për trupin gjatë agjërimit.

“Këto janë ushqime të lehta, por që mbajnë trupin të ngopur dhe ofrojnë gjithashtu yndyrna dhe karbohidrate”, shpjegon Rexhepi.

Një tjetër gabim që mjeku thekson është konsumimi i ushqimit në një vakt të vetëm dhe në sasi të mëdha gjatë iftarit.

Shumë njerëz ulen dhe konsumojnë të gjithë ushqimin menjëherë pas iftarit, derisa nuk mund të lëvizin më.

Rexhepi këshillon që iftari të ndahet në dy ose tre vakte, për të lejuar trupin të absorbojë ushqimin më mirë dhe të mos rëndohet.

“Një gabim tjetër është që, pas iftarit, thuhet se duhet të pushojmë dhe të flejmë, por në fakt, aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm”, thotë Rexhepi.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:

– YouTube  www.youtube.com

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit