12.8 C
Skopje
Tuesday, April 30, 2024

Futuro qiejve Linda! Nuk të krahasojmë më me pikëllimin e zogut krahë thyer

Vendosa ta shpërfillja atë që flitej mbi varrin e saj. Doja të kapja një shenjë që ajo nuk na ka lënë përgjithmonë dhe sidomos jo aq papritmas. Nga vendi ku isha ulur e përsërisja pa pushim fjalinë që e lexoja sipër një varri ku shkruhej “Këtu pushon…” nuk arrija të shquaja emrin, nuk doja të zgjasja dhe pak kokën për ta lexuar një të panjohur që e kishte lodhur jeta. Fjalimet zgjasnin, unë në kokë e përsërisja me zë “këtu pushon…, këtu pushon…, këtu pushon…” Mjaftonin këto dy fjalë për t’i injoruar ato njëmijë fjalë që u thanë sipër varrit të saj.

A mos ishte kjo shenja? Linda a mos pushoi më në fund, dhimbjet a saja po ashtu, ato të shpirti shumë më të mëdha se ato fiziket.

Matanë ma kap syri profilin e profesor Xhabirit, kushedi ç‘bisedë i ka mbetur përgjysmë, lëviz buzët, flet me Lindën, më duket sikur e pyet: “Pse be Linda? ”

Linda e mundi frikën e saj të madhe.

Frikën se i ati i saj ishte njeri vdekatar si të gjithë dhe një ditë…

“Larg qoftë…”, thoshte përherë.

“Por, Linda është diçka natyrore, vdekje me rend siç thotë populli. “

“Por, bota e pyllit ka rendin e vet… “

Ishte e bindur se gjithçka mund të durojë babai i saj hero shpatullgjerë që i ka përballuar të gjitha, Sizifi vet që perënditë i dhanë barrën më të rëndë pa e pyetur fare nëse mundej.

Pas çdo ankese shëndetësore të profesorit, fillonte makthi për Lindën dhe dyshimi se ai fshihte diçka prej saj, nuk ia thoshte të vërtetën dhe më përgjërohej të zbuloja nëse fshihte diçka, ta thërrisja në telefon, ta pyesja detajisht për analizat. Edhe kështu, sërish e sërish nuk besonte.

“Çka të bëj me këtë frikë….”

“Largoje…”

“Si? “

“Munde.”

Dikur, kisha unë një frikë të madhe, ajo më këshilloi:

“Është në dorën tënde, mund ta hapësh derën e kafazit e të fluturosh, por unë çka të bëj?”

Kur Vjollca më mori me dënesë natën vonë për të më kumtuar lajmin e zi mu duk si në një ëndërr prej së cilës dalje s’kishte.

Më erdhi vetvetiu pyetja e saj:

“Çka të bëj me frikën? “

Dhe përgjigjja po ashtu:

“Kafazi u bë zog dhe ka fluturuar.”

Futuro qiejve Linda! Nuk të krahasojmë më me pikëllimin e zogut krahë thyer.

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit